Ansambli artistik “Skënderbeu” kremtoi mbrëmjen e së shtunës 50-vjetorin e krijimit me një koncert të veçantë në nder të kësaj ngjarjeje jubilare.
Korça, një ndër emblemave të saj artistike, krenohet me këtë ansambël, pjesë e të cilit janë bërë dhjetëra figura dhe breza artistësh. Për dirigjentin dhe kompozitorin Josif Minga, kjo ishte një mbrëmje tepër emocionuese.
“Kjo mbrëmje për mua ishte një përjetim i veçantë. Kemi kaluar shumë sfida dhe arritje gjatë viteve. Është një nder të festojmë 50 vite të këtij ansambli.”
Ndër emrat ikonë të ansamblit është këngëtarja e njohur Eli Fara, e cila pas një shkëputjeje nga skena e Korçës, u rikthye mbrëmjen e së shtunës për të performuar disa nga hitet e saj më të njohura.
“Jam e emocionuar që rikthehem në këtë skenë ku kam nisur rrugëtimin tim artistik. Këtu janë kujtimet e mia më të bukura.”
Këngëtari nga Kosova, Artan Bakia, i ftuari special i mbrëmjes, theksoi lidhjen e tij të ngushtë me artin që ka prodhuar ky ansambël, duke thënë se me këngët e tij është rritur dhe sot i ka pjesë të repertorit të tij.
“Ansambli ‘Skënderbeu’ ka qenë një inspirim për mua që nga fëmijëria. Jam krenar që këngët e tij janë pjesë e trashëgimisë sime muzikore.”
Një nga instrumentistët më të njohur të ansamblit, Zhani Struga, tregoi se gjatë udhëtimit të tij artistik ka pasur mundësi të vlerësohet në shumë raste, duke kontribuar në pasurimin e repertorit muzikor të ansamblit.
“Ka qenë një rrugë e gjatë, por e bukur. Kam marrë shumë vlerësime dhe më ka dhënë shumë kënaqësi të jem pjesë e këtij ansambli.”
Koncerti i 50-vjetorit të ansamblit artistik “Skënderbeu” u konceptua me pjesë të ndryshme, ku përfshiheshin këngë, valle tradicionale dhe muzikë instrumentale. Gjatë mbrëmjes u përkujtuan gjithashtu figurat kontribuese që nuk janë më mes nesh, duke nderuar trashëgiminë e tyre të çmuar.