Pogradec: Për shkak të motit të keq me reshje shiu, disa nga rrugët kryesore të qytetit janë përmbytur. Aktualisht, në terren ndodhen punonjës të shërbimeve publike dhe të policisë bashkiake të Pogradecit, të cilët po punojnë për të normalizuar situatën.
Deri tani, nuk janë raportuar probleme të tilla si dëme në banesa apo biznese, edhe pse ka pasur prurje të mëdha uji. Situata po vihet nën kontroll nga ekipet në terren.
Ndërkohë, në aksin nacional Korçë-Pogradec, veçanërisht në Qafë Plloçë, si dhe në aksin Pogradec-Qafë Thanë, ka prezencë të dendur të mjegullës. Drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të ulin shpejtësinë dhe të kufizojnë lëvizjet. Gjithashtu, ka një shtim të pranisë së policisë në këto akse.