Niko Peleshi flet për organizimin e protestës së opozitës dhe kaosin në kuvend, nga Korça:
A do t’i hapë maxhoranca krahun opozitës në këtë situatë të trazuar tashmë?
Maxhoranca përgjigjet për sjelljen e vet politike dhe ligjore, natyrisht për raportet e saj me institucionet kushtetuese siç është parlamenti. Besoj se nuk është në diskutim maxhoranca për momentin. Ne jemi në detyrë, jemi në kuvend, respektojmë kuvendin dhe bëjmë detyrën tonë. Trazirat apo ngjarjet e fundit të pahijshme për sjelljen politike në kuvend besoj se duhet të pyesni opozitën. Nuk më vjen mirë, nuk dua ta bëj këtë ndarje “ne” dhe “ata”, sepse në fund të fundit jemi kolegë. Nuk më vjen mirë, jo për 20-24, por qoftë edhe për një deputet që të jetë i përjashtuar, ose që sekretariati të jetë detyruar ta përjashtojë nga seanca, por jo çdo gjë është në dorën tonë.
A ishin të 24 të përjashtuarit aktivë, apo ishin më pak?
Me këtë nuk merret grupi parlamentar i PS-së që unë drejtoj, është një çështje e strukturave të kuvendit, konkretisht sekretariatit për etikën, që merr në shqyrtim provat dhe merr vendim. Nuk mund të pyetem unë për këtë. Ju thashë personalisht, dhe grupit tonë nuk i intereson të ketë një seancë jo normale apo me përjashtime. Ne duam të kemi një seancë normale, me debat të fortë, por brenda disa vijave të kuqe. I vetmi problem që shohim në politikën e këtyre viteve është kuptimi i vijave të kuqe. Të debatojmë, por jo të dalim përtej. Ajo që ndodhi ishte e paprecedent, por ne nuk duam ta kemi të pranishme dhunën në parlament dhe ta eskalojmë nga një krizë ndërpartiake te tjetra. Këto janë mendimet tona, jo vetëm personale, por edhe të grupit parlamentar. Nuk është dëshira jonë të kemi një parlament të paqëndrueshëm.
Protestat e të hënës, për qeveri teknike, a do të jetë e gatshme maxhoranca të pranojë kërkesat?
Nuk mund të komentoj çfarë vendos opozita. Protesta është një element demokratik, nuk është një herezi. Protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, por nuk mund ta paragjykoj. Protesta është zgjedhja e tyre, kërkesat politike ata mund t’i formulojnë sipas orekseve politike të veta, por unë nuk shoh që ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria. Për ç’arsye? Për shkak të një vendimi të formës së prerë të një sistemi të pavarur nga qeveria? A po flasim pasi kemi kryer së bashku një reformë në drejtësi? E kemi votuar me 140 vota dhe me duartrokitje. Tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye të dalin në protestë?