Sot, në Universitetin “Fan S. Noli”, u zhvillua një takim me rëndësi të veçantë në kuadër të projekteve të fituara nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSH). Gjatë këtij eventi u prezantua projekti “Trashëgimia kulturore e pakicave etnike dhe linguistike në qarkun e Korçës”, një iniciativë që synon të eksplorojë dhe ruajë identitetin kulturor të këtyre grupeve.
Në këtë takim morën pjesë pedagogë dhe kërkues shkencorë nga Universiteti “Fan S. Noli”, si dhe përfaqësues të ndryshëm nga komunitetet etnike dhe linguistike në qarkun e Korçës. Pas një prezantimi të grupit të punës, u diskutuan objektivat kryesore të projektit, që përfshijnë dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe identifikimin e sfidave që përballen këto pakica në ruajtjen e traditave të tyre.
Ky aktivitet përkoqi gjithashtu me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, një moment simbolik që thekson rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të diversitetit kulturor në Shqipëri. Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të forcuar lidhjet mes akademisë dhe komuniteteve, duke nxitur një dialog konstruktiv për ruajtjen e vlerave kulturore dhe historike.
Projektet si ky janë të domosdoshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasuritë kulturore të vendit dhe për të siguruar që zërat e të gjitha grupeve shoqërore të dëgjohen dhe respektohen.