Ujku në mjegull kërkon të bëjë kerdinë!
Mesa duket, i zënë ngushtë nga skandalet e përditshme, keqqeverisja, shpenzimet e shumta administrative, tallja me pensionistët, rritja e çmimeve të shportës, rënia e kursit të këmbimit të euros, forcimi jo real i lekut, administrata patronazhistike dhe e korruptuar, si dhe një hamulli ku të gjithë, nëse ju jepet mundësia, janë gati me valixhe në duar për të lënë pas çdo lloj kontributi, investimi apo breznie. Kryeministri Rama hodhi shashkën e radhës, e cila bëri goxha zhurmë dhe tym për të larguar vëmendjen nga problemi kryesor: keqmenaxhimi i çdo sektori të shtetit shqiptar, duke kërkuar krijimin e një shteti Bektashi që as nga vetë komuniteti Bektashi nuk është kërkuar.
Fatkeqësisht, ia arriti, dhe për këtë jemi kontribues të gjithë, kush me heshtje, kush me reagim të vakët, e madje një pjesë e mirë me aprovime të hapura. Ende nuk janë të qarta objektivat reale të kësaj ideje të ndotur të Kryeministrit tonë, por natyrshëm lind pyetja: nëse të tilla pretendime do të kishin edhe komunitete të tjera, fetare ose jo, sa shtete brenda shtetit do të ishte i gatshëm të coptonte Shqipërinë Kryeministri?
Në fakt, çdo ditë ai e vërteton se për pushtet “i shet shpirtin djallit” dhe, si bartës i këtij pushteti, çdo ditë vepron duke shkaktuar kosto mbi kurrizin e çdo qytetari të ndershëm, të cilët shpesh i sheh të pafuqishëm dhe të mposhtur nga ky realitet vrastar.
Fatkeqësisht, pak kanë mbetur që reagojnë; shumica janë servilë dhe lepirës që i jargaviten pushtetit, apo çdo pushteti, përfshirë “mediat”. Derisa ata pak që reagojnë turbullt të kuptojnë rëndësinë e një reagimi të vendosur dhe të gatshëm për sakrifica të mëdha, ne do të presim që mjegulla të trashëgohet, dhe pse jo, të shpëtojmë edhe një herë nga ujku… derisa të mbetemi vetëm, pa asnjë nevojë për radhë.