TIRANË, 16 shtator /ATSH/-Në kuadër të përfundimit të projektit “Itinerare të Gjelbra për Blegtorinë Shqiptare” (IVEA), mbështetur nga qeveria franceze, në Korçë u zhvillua një vizitë informuese në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë.
Të pranishëm ishin zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arian Jaupllari, Ambasadorja e Francës Catherine Suard, Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole si dhe ekspertë e përfaqësues të bujqësisë të zonës.
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë ështe një institucion kërkimor-shkencor, në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, i cili merret me identifikimin, testimin, përshtatjen dhe futjen e metodave dhe materialeve te reja në praktikat bujqësore e blegtorale.
Jole tha se, për afro 3 vjet kjo qendër në bashkëpunim me Institutin e Blegtorisë në Paris, realizoi projektin i cili ka sjellë perfitime për fermerët e qarkut Korçë në disa drejtime.
Konkretisht theksoi ai, në krijimin e një bërthame të re racore në drejtim të prodhimit të mishit si dhe në instalimin e teknologjive të reja që i shërbejnë rritjes së prodhimit cilësor blegtoral.
Ndër teknologjitë inovative, Jole përmendi instalimin e paneleve fotovoltaike që shërbejnë për prodhimin e energjisë elektrike dhe përmirësimin e kullotës; të tankut ftohës për ruajtjen e qumështit me panele diellore; impiantit të bio gazit nga trajtimi i plehut të gjësë së gjallë; filtrit që shërben për trajtimin e ujrave të bardha që dalin nga dhoma e qumështit si dhe instalimin e “bariut elektrik” i cili shërben për mbarështim të kafshëve, rritjen e prodhimit në blegtori, duke respektuar mjedisin për një shfrytëzim sa më të mirë të kullotave, si dhe duke iu përshtatur ndryshimeve klimaterike.
Gjithashtu theksoi ai, projekti mundësoi instalimin e një pajisje inovatore me video-asistencë për insiminimin artifcial.
“Ofrimin e trajnimeve të specialistëve dhe fermerëve të qarkut tonë, për përdorimin e teknoligjive të reja të mbarështimit të kafshëve, etj është një tjetër drejtim i rëndësishëm për blegtorinë në rajonin tonë”, theksoi Jole.
Sipas tij, të gjitha këto investime shërbejnë si njohuri dhe modele për aplikimin e teknologjive të reja në mbarështimin e kafshëve, duke iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre fermerëve që duan të mbarështojnë bagëti race për prodhim qumështi dhe mishi.
Burimi: ata.gov.al