Shfaqja Karnavalet e Korçës është ngjitur në skenën e Teatrit të Korçës, mbrëmjen e fundit të edicionit të 11-të të KOKO Fest. Kjo shfaqje, e rikthyer në skenë, mori çmimin për “Shfaqjen më të mirë” të festivalit. Ndarja e çmimeve u krye natën e fundit, pasi u vunë në skenë 8 vepra nga teatrot e Shkodrës, Vlorës, Tiranës, Kosovës dhe Greqisë.
Për regjisorin Erion Isai, skena e Teatrit “Andon Z. Çajupi” është konsideruar si mjaltë për mjeshtërinë e aktorëve, duke theksuar se Karnavalet e Korçës është kthyer në shtëpinë e saj, ku shfaqja vjen natyrshëm për aktorët. Isai shton se ka arritur qëllimin e tij, pasi aktorët performuan para syrit kritik të kolegëve të tyre, të ulur në publik.
Zamira Kita, organizatore e KOKO Fest dhe njëkohësisht fituese e çmimit për Aktoren më të Mirë në këtë festival, tha se festivali e arriti qëllimin e tij, por shtoi se ka vend për përmirësime.
I kthyer nga SHBA për të luajtur rolin e Nikollaqit në Karnavalet e Korçës, Arben Dervishi shprehu emocionet e tij për rikthimin në skenën e Teatrit të Korçës pas më shumë se 12 vitesh.
Nata e fundit kulmoi me dhënien e vlerësimeve të ndryshme për 8 shfaqjet dhe aktorët. Çmimi i karrierës shkoi për Leka Bungon, Artisti i ri më i mirë – Urim Aliaj, Aktorja e re më e mirë – Ilda Pepi, Aktori joprotagonist më i mirë – Ard Islami, Aktorja joprotagoniste më e mirë – Paola Kodra, Aktori protagonist më i mirë – Armand Morina, Aktorja më e mirë – Zamira Kita, Regjia më e mirë – Fatos Berisha, Shfaqja më e mirë – Karnavalet e Korçës.