Edhe 4 ditë kanë mbetur nga starti i sezonit të ri futbollistik i kategorisë superiore, teksa në fakt starti do të jetë të dielën me dy ndeshjet e para, ndërkohë që tre ndeshjet e tjera do të luhen të hënën më 19 gusht.
Skënderbeu-Elbasani është përballja e së hënës në orën 20:00 në mbrëmje dhe duket se Skënderbeu tashmë ka hyrë në përgatitjet e tij të fundit dhe stafi teknik është duke menduar tashmë për këtë përballje të parë për ti bërë një start sa më dinjitoz superligës.
Sipas informacineve nga kampi bardhekuq pasditen e djeshme në orën 18:30 ekipi ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore, me një stërvitje thuajse taktike dhe që Gvozdenoviç ka provuar lojtarët në fushë ashtu si edhe do të jenë të rreshtuar të hënën.
Tashmë edhe vetë njëshi i stolit bardhekuq e ka vendosur 11-shin që do të rreshtojë nga starti dhe nuk pritet ndonjë surprizë ditët e fundit për të ndryshuar mënyrën e lojës së Skënderbeut.
E rëndësishme është që nuk ka asnjë problem deri në këto momente dhe grupi është thuajse i gjithi gati. Tashmë mbeten këto ditë të fundit për ti dhënë dorën e fundit skuadrës, ndërkohë që seancat stërvitore do të vijojnë në orarin e pasdites, për tu përshtatur sa më shumë me orën 20:00 që do të jetë edhe orari zyrtar i ndeshjes së parë.
Nga ana tjetër edhe tifozët po organizohen për këtë ndeshje dhe ashtu si edhe është deklaruar, të paktën 5 mijë tifozë do të jenë në stadium në këtë ndeshje të parë.
Skënderbeu-Elbasani është ndeshja që mezi e presin në juglindje të vendit.

