Dita e 7-të e zjarrit. Në terren mëngjesin e sotëm kanë zbritur prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, së bashku me kryetarin e bashkisë së Pustecit, Pali Kolevski, dhe rreth 80 forca. Sot është dita vendimtare.
Nertil Jole, prefekti i qarkut të Korçës:
“Jemi sot këtu në Goricë, së bashku me kryetarin e bashkisë Pustec, për të bërë përpjekjen e radhës, në ditën e 7-të, për të luftuar një vatër komplekse, në zonën e Parkut Kombëtar të Prespës. Kemi organizuar punën me të gjitha strukturat operacionale në nivel qarku. Na janë ofruar si mbështetje edhe shërbimet e bashkive të tjera, së bashku me detashmentin, agjencinë e zonave të mbrojtura, shërbimin pyjor, strukturat e policisë, etj. Jemi organizuar në mënyrë që të bëjmë përpjekjen e radhës, për të neutralizuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, duke shpresuar që në këtë mënyrë të kufizojmë ecurinë e saj. Në çdo rast, jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet, Ministrinë e Mbrojtjes, me ministrin posaçërisht, me Drejtorinë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, duke shpresuar që nuk do të jetë e nevojshme të angazhohet mekanizmi europian për ndërhyrje nga ajri. Megjithatë, nëse një nevojë e tillë do të shfaqet, kemi marrë mbështetje dhe garanci që të sigurohet edhe ky shërbim, në mënyrë që të mbrojmë një nga zonat më të pasura pyjore të qarkut tonë, por edhe të gjithë Shqipërisë.”
Pali Kolevski, kryetar i bashkisë Pustec:
“Sot janë rreth 80 forca të cilat presin të shkojnë te vatrat e zjarrit. Sot do të jetë dita më vendimtare, siç parashikojnë edhe specialistët e zonave të mbrojtura dhe zjarrfikëses. Këtu jemi mbledhur si qark, nga të gjitha bashkitë e qarkut, nga Forcat e Armatosura, nga zonat e mbrojtura dhe vullnetarë nga fshati Goricë e Madhe. Në këto momente është ulur intensiteti i flakëve si rezultat i punës intensive të punonjësve që kanë punuar edhe gjatë mbrëmjes. Sipas informacioneve të para, mësohet se rreth 5-6 km janë vënë nën kontroll, vijë lineare. Siç tha edhe prefekti, ne kemi komunikuar edhe me Emergjencën Civile të Shqipërisë, me palën maqedonase dhe me partnerë të tjerë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë. Të shpresojmë që të mos jetë e nevojshme dhe ta vëmë nën kontroll përfundimisht.”

