8 C
Pogradec
8.4 C
Korçë
7.5 C
Bilisht
7.8 C
Ersekë
7.5 C
Maliq
8.2 C
Liqenas
Thursday, April 23, 2026

Ministrja e Bujqësisë deklaratë nga Maliqi: Formalizoni ekonominë bujqësore, ndryshe s’kemi si t’ju ndihmojmë…

- Advertisement -

Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, zhvilloi një takim të rëndësishëm me fermerët e zonës së Maliqit, pas dy protestave të njëpasnjëshme që ata organizuan ditë më parë. Pas takimit, ministrja iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku shpjegoi disa nga ndihmat që qeveria planifikon të ofrojë për fermerët protestues.

Kur u pyet për masat konkrete që do të merren, ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm midis qeverisë dhe fermerëve për të zgjidhur shqetësimet e tyre. “Së pari, duhet të kuptojmë që si përfaqësues të pushtetit qëndror dhe vendor, mbështesim çdo zë dhe dëgjojmë shqetësimet e ngritura,” tha ajo. Ministrja shtoi se formalizimi i ekonomisë bujqësore dhe bashkimi i operatorëve janë çelësi për të rritur shkallën e prodhimit, automatizimin dhe uljen e kostove.

Një nga sfidat kryesore që ministrja nënvizoi është informaliteti i shtuar në sektorin bujqësor, i cili vjen për shkak të mungesës së kontratave midis fermerëve, përpunuesve dhe tregtarëve. “Formalizimi i ekonomisë është kyç për të siguruar që subvencionet të shkojnë aty ku duhet dhe që fermerët të marrin vlerën e plotë të mundit dhe djersës së tyre,” shtoi ajo.

Duke folur për produktet kryesore të zonës, si patatja, molla dhe qepa, ministrja theksoi se prodhimi vendas mbulon 94% të nevojave të vendit, ndërsa vetëm 6% e patates importohet. “Ndërsa prodhimi vendas është i lartë, është e rëndësishme që produktet të përfshihen në tregjet që mund t’i përthithin ato,” theksoi ajo. Megjithatë, tregjet e Bashkimit Evropian janë të vështira për t’u arritur për shkak të kufizimeve sanitare dhe fitosanitare, për të cilat po punohet, por që kërkojnë kohë për t’u përmbushur.

Ministrja shpjegoi se është thelbësore që prodhimi i patates të zhvillohet me kosto të ulët për të konkurruar me produktet e importuara, duke theksuar edhe një herë se formalizimi i tregut është kyç. “Në shumë raste, ne nuk kemi mundësi të gjurmojmë tregjet me dokumente të sakta, por vetëm me biseda. Ka ardhur koha që ne dhe fermerët të formalizojmë këtë ekonomi,” u shpreh ajo.

Ministrja Denaj theksoi se për të arritur një konkurrencë të qëndrueshme dhe për të ulur kostot, është e domosdoshme të aplikohet mekanizimi i avancuar në bujqësi. “Në Shqipëri, sipërfaqja mesatare për fermer është vetëm një hektar, gjë që e bën të vështirë aplikimin e mekanizimit në mënyrë efektive. Ne kemi nevojë për bashkime të operatorëve që të mundësojmë aplikimin e mekanikës moderne,” theksoi ajo.

Ajo vuri në dukje se subvencionet tashmë janë duke u shpërndarë dhe se fermerët që kanë qenë pjesë e bashkimit të operatorëve po marrin 100% të subvencioneve. “Modeli është formalizim dhe bashkim, që mundëson aplikimin e mekanikës moderne për të ulur kostot dhe për të rritur rendimentin,” tha ministrja.

Në përfundim, ministrja u shpreh se qeveria është e angazhuar për të mbështetur zonën e Maliqit me projekte të tjera, përfshirë sistemet vaditëse, dhe ka dedikuar fonde të veçanta për katër bashki për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit