Brenda 7 ditëve më tepër se 90 mijë shtetas kanë hyrë dhe kanë dalë nga dogana e Qafë Thanës, ose 20% më tepër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kryesisht kemi të bëjmë me shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre. Ata shprehen se Vlora dhe Saranda janë destinacionet kryesore që ata zgjedhin.
Veçmas shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të cilët përdorin këtë pikë kalimi për të hyrë në Shqipëri, janë dhe shtetasit e huaj të ardhur nga Turqia, Zvicra, Franca, etj.
“Ne po shëtisnim në gjithë vendet e Ballkanit dhe Shqipëria ka qenë një vizitë gjatë rrugës. Shkuam në Greqi, Maqedoni, erdhëm në Shqipëri. Kemi shkuar dhe në Mal të Zi, Serbi. Ne kemi ardhur për pushime nga Turqia. Nuk kemi pritur shumë gjatë këtu, vetëm 5 minuta kam pritur. Është hera e parë që jam në Shqipëri.” “Po shkojmë në Sarandë, nuk e di shumë mirë emrin e vendit. Jemi në një ekskursion shkolle, janë dhe 2 autobusë përpara dhe do shkojmë të shohim vendin. Do qëndrojmë rreth 5-7 ditë. Në këtë pikë ka qenë më e vështirë të kalosh sesa nga pikat e kalimit të Serbisë dhe Hungarisë. Për mua është hera e parë që jam në Shqipëri, ndërsa shoferi ka qenë dhe herë të tjera.”
Sipas tyre, edhe pse ka pasur një fluks shumë të madh të automjeteve, ata nuk kanë pritur gjatë në këtë doganë për shkak të masave të marra nga autoritetet.
Burime nga autoritetet doganore bëjnë të ditur se fluksi më i lartë i kalimtarëve ka qenë gjatë orëve të paradites dhe mbrëmjes. Gjithashtu, autoritetet po punojnë me sportele të plota, ndërsa shpeshherë bëhet kalimi me procedurë të përshpejtuar për të evituar radhët dhe pritjet.