Qyteti i Pogradecit në këtë fluks të pushuesve ka pasur dhe një rritje të shtimit të rasteve të personave që marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Pogradecit. Mbi 100 raste në ditë paraqiten për ndihmë mjekësore pranë këtij spitali, ndërsa moshat e treta mbajnë numrin më të lartë të atyre që kërkojnë ndihmë.
Rastet me enterite, gastroenterite, kryesisht virozat e stinës dhe tamponet pozitive sipas shefit të urgjencës së Pogradecit Genci Zyferi janë më të shpeshta. Sipas tij, këshillohen të moshuarit të evitojnë orët e pikut të së nxehtës që sjellin edhe rastet më të mëdha të problemeve kardiake, nga ana tjetër këshillohet dhe konsumimi sa më i madh i lëngjeve.
Sipas burimeve nga pediatria e Pogradecit, edhe aty evidentohet një shtim i rasteve ku kërkohet ndihmë mjekësore, ku çdo ditë paraqiten mbi 60 raste të fëmijëve me viroza të stinës. Ndërkohë, edhe në qendrën shëndetësore verore në Pogradec regjistrohen çdo ditë mbi 70 raste kryesisht të lehta që marrin ndihmë dhe konsultë mjekësore.

