Nga: Redi Dandallaku
Pogradeci mund në miqësore Besën 1-0/Topllari shënon super gol nga goditja e dënimit
Pogradeci luajti ditën e sotme në orën 17:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” miqësoren e rradhës kundër Besës së Kavajës, ndeshje e cila përfundoi me shifrat 1-0 në favor të vendasve.
Pjesën e parë trajneri Nikaj e nisi me ata lojtarë që mund të thuhet se do të jenë formacioni për sezonin e ri, por këto 45 minuta të para ishin totalisht zhgënjyese sidomos në fazën sulmuese ku mesfusha dhe sulmi stonoi totalisht dhe nga pogradecarët nuk pati asnjë goditje drejt portës kundërshtare. Ndërkohë kavajasit ishin më të rrezikshëm sidomos nga krahët me Mazrekaj dhe Spahiun. Po ashtu edhe mbrojtja kavajase ishte në një nivel të lartë me liderin Goxha në qendër të saj. Me një notë pozitive mund të themi se kaloi mbrojtja e liqenorëve me treshen Hysenllari-Pere-Ivani, të cilët ishin të vendosur mirë dhe të ashpër në pritjen dhe mbulimin e aksioneve. Po e njëjta gjë mund të thuhet për mesfushorin nigerian Danlandi, cili shkëlqeu me driblimet dhe ndërhyrjet e sakta. Disi mirë bënë edhe Këndezi me inskursionet e tij nga e majta dhe sulmuesi Beçka i cili edhe pse nuk rrezikoi portën, vrapoi sa mundi, luftoi për çdo top dhe ushtroi mjaft presion drejt mbrojtësve kundërshtarë.
E para u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.
Në të dytën Nikaj aktivizoi të gjithë lojtarët e stolit të cilët me paraqitjen e tyre rezultuan efektivë pasi sulmet ishin më të shpeshta. Në anën tjetër tekniku Mirel Josa veproi më ngadalë me zëvendësimet. Kjo pjesë e dytë u luajt dhe u luftua nga të dyja skuadrat ku për Pogradecin Torollari goditi shtyllën me kokë dhe nga ana tjetër Oliveira për Besën goditi po me kokë traversën.
Duhet të vinte minuta e 88′ ku Topllari ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi nga e djathta në një largësi prej rreth 23 metrash dhe shënoi një super gol duke goditur traversën fillimisht e më pas sfera shkoi për poshtë duke kaluar vijën e bardhë e duke lënë të shtangur portierin e miqve.
Për t’u vlerësuar në të dytën ishin portieri Beqiri, mbrojtësi Kapllani i cili fitoi pothuajse të gjitha dyluftimet në lojën në ajër, mesfushori Demaj i cili vrapoi shumë dhe sigurisht Topllari që shënoi golin e fitores por në lojë u markua mjeshtërisht nga mbrojtja mike.
Gjithësesi nuk mund të thuhet se u pa një lojë e mirë nga liqenorët pasi sërish loja me pasime të gjata stonon shumë dhe akoma nuk është gjetur lojtari “gol”. Duhet thënë se merkato nuk po ofron emra “big” dhe kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim se çfarë të rejash do të kemi në pjesën e hyrjeve në skuadër.
Pritet që këto ditë në skuadër të afrohet një sulmues kroat 29-vjear, 1.88 i gjatë, emri i të cilit është Mateo Panadic.

