Nga: Redi Dandallaku
Pogradeci luan miqësoren e parë/Mundet nga Suhareka me shifrat 1-3
Ditën e djeshme në orën 18:00 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, Pogradeci luajti ndeshjen e parë miqësore për këtë sezon kundër skuadrës kosovare të Suharekës të drejtuar nga trajneri i mirënjohur Shpëtim Duro, sfidë kjo që prodhoi rezultatin 1-3.
Liqenorët e nisën me një formacion të ngjashëm me atë të sezonit të kaluar ku vetëm dy nga prurjet e reja, mbrojtësit Pere dhe Kastrati startuan që nga minuta e parë.
Pjesa e parë përfundoi me shifrat 0-1 në favor të miqve që shënuan me autor Nukiç.
Në pjesën e dytë trajneri i pogradecarëve Nikaj ndërroi të gjithë formacionin duke aktivizuar një miks lojtarësh mes disa të rinjve dhe disa lojtarëve në provë.
Në të dytën ra në sy aktivizimi i dy ish-lojtarëve korçarë të Skënderbeut, mbrojtësit Franko Kapllani dhe sulmuesit Kostika Beçka, por që nuk lanë gjurmë me aktivizimin e tyre ku mbetet për t’u parë performanca e tyre në vazhdim. Në një ditë të mirë ishin Qeleshi dhe Shkulaku i cili shënoi edhe golin për Pogradecin me anën e një aksioni personal nga e majta ku pas driblimit spektakolar të dy lojtarëve, u afrua afër portës dhe mposhti edhe portierin në mënyrë të befasishme duke shkurtuar shifrat në 1-2. Për Suharekën dy golat e tjerë u shënuan nga Fetahaj dhe Susuri.
Në këtë ndeshje për liqenorët nuk u aktivizua portieri Baçi për arsye dëmtimi.
Skuadra liqenore është pretendente për t’u ngjitur në superligë pasi ky është objektivi i presidencës por loja e skuadrës dhe lojtarët në provë nuk bindën plotësisht në këtë provë të parë. Emra me peshë ende nuk janë afruar dhe kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim ku edhe koha është e shkurtër pasi kampionati fillon më 24 gusht.