Rigels Kaso, një 42 vjeçar nga Bilishti, ka humbur jetën pasi u sulmua dhunshëm disa ditë më parë në Tiranë. Rreth orës 17:30 ndërroi jetë në spitalin e Traumës pas një periudhe në koma të pakthyeshme.
Burime nga spitali i Traumës raportojnë se gjendja e Kasos ishte tepër e rëndë që nga momenti i mbërritjes në spital, dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë. Kaso ishte në gjendje kome që nga momenti i pranimit në spital deri në ditën e ndarjes nga jeta.
Sipas burimeve nga policia e Tiranës, Rigels Kaso u sulmua në hyrjen e një pallati në Kombinat. Dyshohet se sulmi erdhi pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale. Policia është ende duke hetuar për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje tragjike.
Kaso kishte një karrierë të gjatë në klubin e futbollit Devolli, ku kishte përfunduar disa kurse pranë sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), përfshirë edhe atë të analistit. Përveç angazhimit në sport, ai menaxhonte një biznes privat në Bilisht, ku ofronte shërbime për riparimin e televizoresh dhe kamerash sigurie.