Tradita e notit ka nisur në Pogradec qysh në kohën e Ahmet Zogut. Për vite me radhë, Pogradeci ka nxjerrë kampionë dhe rekordmenë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, për afro tre dekada, kjo traditë kishte ardhur duke u zhdukur. Këtë vit, në qytetin e Pogradecit, rekordmeni i notit Sotiraq Iftica dhe kampioni Vladimir Mato kanë vendosur të ngrejnë një pishinë të hapur në mënyrë vullnetare.
Trajneri i notit, Sotiraq Iftica, tha se noti është një mjet për të shpëtuar jetën tënde dhe të tjerëve kur janë në rrezik. Ai shtoi se rikthimi i traditës së notit po nis me formimin e një ekipi të përbërë nga fëmijë të vegjël të grupmoshave të ndryshme. Sipas tij, Pogradeci ka nevojë edhe për një pishinë të mbyllur për të vazhduar traditën e notit gjatë periudhës së dimrit.
Trajneri tjetër i notit në Pogradec, Vladimir Mato, tha se përveç pogradecarëve të shumtë, pjesë e trajnimeve janë edhe fëmijë nga vende të ndryshme. Ai shtoi se pritet të mbahet në Pogradec për vitin e tretë maratona e notit, ku pjesëmarrësit vijnë nga e gjithë Shqipëria.
Aslit Blaceri, një prej të rinjve të përfshirë në trajnimet e notit, tregoi se e nisi notin si një pasion, por së fundmi po e pëlqen shumë edhe si sport.
Disa vajza të vogla nga Pogradeci dhe Tirana treguan arsyet pse janë bërë pjesë e kurseve të notit. Ndërsa thanë se prindërit janë një shtysë që i drejton në këtë sport.
Tradita e notit është rikthyer në Pogradec, por momentalisht vetëm gjatë periudhës së verës. Mungesa e pishinave të mbyllura sjell disavantazh për notarët për trajnimet gjatë periudhës së dimrit.

