Ekipi i liqenorëve, pas blerjes së aksioneve nga një kompani private, ka nisur të përgatitet për sezonin e ri i cili fillon në muajin gusht. Ndeshja e parë e kategorisë së parë do të luhet në Pogradec më 24 gusht kundër Kastriotit. Vetëm një javë më vonë, Pogradeci do të përballet në transfertë me Lushnjen.
Për këtë sezon, trajneri i pogradecarëve do të jetë shkodrani Samuel Nikaj, i cili falenderon për besimin presidentin e ri të ekipit. Pogradecari Keli Pere dhe dy kosovarët Ndue Ndrreca dhe Endrit Kastrati janë tashmë afrimet e zyrtarizuara. Ndërkaq, vetëm dje tekniku pogradecar po studionte disa prej lojtarëve që mund të jenë afrime të mundshme.
I pyetur nëse ky do të jetë ekipi i Superiores, Nikaj është përgjigjur duke thënë se po punohet për afrimet dhe për kondicionin fizik të lojtarëve. Samuel Nikaj ka komentuar gjithashtu për ndeshjet e para për të cilat do të përballet ekipi pogradecar këtë sezon.
Ekipi i liqenorëve, pas ngjitjes në kategori të parë, ka si synim kategorinë Superiore, por siç edhe vetë tekniku i liqenorëve ka thënë, skuadra ka nevojë për afrime të reja dhe përgatitje më të zgjeruar fizike.

