Pogradeci zbret në fushë/ Adminstratori Binishi iu bën lojtarëve të qartë objektivin: “Presidenca kërkon superligën”!
Klubi i Futbollit të Pogradecit filloi dje përgatitjen për sezonin e ri ku në orën 17:30 ekipi doli në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku” dhe fjalimi hapës u mbajt nga administratori Nesti Binishi i cili javë më parë u konfirmua i pari nga presidenti i ri i klubit Armand Lilo. Administratori ishte ai që konfirmoi stafin për të tretin vit rradhazi i cili do të udhëhiqet po nga Samuel Nikaj, Kopi Çerepi dhe Altin Lipo.
Binishi pasi përshëndeti të gjithë lojtarët e pranishëm dhe falenderoi të gjithë ata që kontribuan në ngjitjen e skuadrës në kategorinë e parë, theksoi:
“Tashmë dua t’iu bëj të qartë se klubi është privatizuar 100% dhe objektivi është i qartë, presidenca kërkon kalimin në superiore”! Ndryshe nga sezonet e kaluara ku vareshim nga Bashkia tashmë kemi një president të ri që edhe ai ka kërkesat dhe pritshmëritë e tij të cilat janë të larta dhe kjo është normale, pasi do të investojë nga të ardhurat e veta. Sigurisht që objektivi superiore nuk është i paarritshëm pasi edhe unë edhe trajnerët e kemi arritur këtë gjë në karrierën tonë, por që kërkon impenjim maksimal dhe për këtë i kërkoj të gjithë lojtarëve që përveç pasionit për futbollin, të futin dhe vullnetin në punë pasi të gjithë do të kalojnë në disa “filtra” shumë të ngushtë dhe do ndiqen himtësisht deri në momentin që unë dhe trajneri do të vendosim t’iu ofrojmë një kontratë. Këtë vit do të kemi edhe një rregullore të brendshme të shkruar, ku ai që thyen këto rregulla do të marrë nga dënimin minimal deri në atë maksimal sipas situatës”.
Më pas foli edhe trajneri Nikaj për disa minuta ku edhe ai qartësoi disa gjëra dhe grupi prej 23 lojtarësh ku 6 prej tyre ishin fytyra të reja vazhdoi me seancën e parë stërvitore.
Në këtë seancë ishte pjesa dërrmuese e skuadrës që u shpall kampione e kategorisë së dytë sezonin e kaluar por gjithashtu mungonin edhe 7 lojtarë që ishin pjesë e suksesit, të cilët janë në një turne futbolli në Hungari ku përfaqësojnë universitetin “Fan S. Noli” të Korçës. Pritet që këta lojtarë të bëhen pjesë e grupit pas kthimit nga turneu.
Përsa i përket merkatos në hyrje, nga burimet mësohet se ka dakordësi me një mbrojtës pogradecar që ka një karrierë të pasur i cili duket se ditët në vazhdim do të bëhet pjesë e klubit. Por me kalimin e ditëve pritet të shohim edhe lojtarë kalibri pasi një klub i privatizuar dhe me objektiv superligën e ka të domosdoshme këtë pjesë.
Sa i përket pogradecarëve të tjerë që militojnë në kategorinë e parë mbetet për t’u parë nëse do të kemi një rikthim të tyre, gjithmonë nëse bien dakord për kontratat.
Prej ditës së djeshme ka filluar zyrtarisht një kapitull i ri në skuadrën liqenore ku duket se një vend në formacion do të kërkojë shumë përgatitje dhe do të jetë i vështirë për të gjithë, pasi vetë objektivi është i tillë ku kërkohet ngjitja në superligë.