Fshati Mëmëlisht në rrethin e Pogradecit, megjithëse i është nënshtruar shtrimit të rrjetit të ujit të pijshëm me një investim prej 1.2 milion eurosh vetëm dy vite më parë, gjatë stinës së verës vuan nga mungesa e ujit të pijshëm. Banorët marrin maksimumi vetëm dy orë ujë në ditë, një sasi e pamjaftueshme.
Banorët thonë se detyrohen të shkojnë të mbushin ujë në puse të ndryshme për të siguruar ujë për higjienën dhe konsumin.
“Edhe pse është vendosur sahati dhe është shtruar rrjeti i ri, uji që vjen vetëm dy orë në çesma, është i papastër.”
“Ne detyrohemi të shkojmë të mbushim ujë në puse, pasi uji që kemi në shtëpi nuk mjafton për nevojat tona.”
Kryeplaku i fshatit, Kristo Vako, thotë se para dy vitesh ishte gëzim për fshatin shtrimi i rrjetit të ujit të pijshëm, por firma që zbatoi punimet mori vetëm burimet e “galerisë” për t’i lidhur me rrjetin, edhe pse kishte shumë të tjera, gjë e cila nuk mund të furnizojë me ujë fshatin.
Kristo Vako (Kryeplak): “Firma që zbatoi punimet mori vetëm burimet e ‘galerisë’, edhe pse kishte shumë të tjera që mund të përdoreshin për të furnizuar fshatin me ujë.”
Përveç orarit të paktë kur banorët kanë ujë të pijshëm në banesë, ajo që shqetëson është se tubacioni i ujërave është në sipërfaqe dhe shpesh herë edhe në kanalet e kullimit. Banorët presin zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm, sidomos në këtë stinë me temperatura përvëluese.