Burimi: Reporter.al
Hetimi i SPAK mbi aferat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj hedh dritë edhe mbi një projekt me vlerë 2 milionë euro të një dekade më parë në Ujësjellësin e Korçës, që u paracaktua gjatë një udhëtimi në Itali të ish-kryebashkiakut Niko Peleshi dhe kreut të UKKO, Petrit Tare në shoqërinë dhe pagesat e biznesmenëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Në verë të vitit 2014, ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizimeve në Korçë në pronësi të bashkisë së qytetit prezantoi një “risi teknologjike”. Impianti i Ujërave të Ndotura të qytetit u pajis me panele fotovoltaike, të cilat u premtua se do të mbulonin kostot e energjisë elektrike që shpenzonte impianti.
Impianti fotovoltatik u ndërtua në pak muaj mes viteve 2013-2014 dhe u licesua nga ERE në nëntor 2014, si prodhuesi i parë i energjisë diellore në vend. Ai i kushtoi taksapaguesve të Korçës gati 2 milionë euro bashkë me interesat e kredisë.
Një dekadë më vonë, hetimi i Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, hedh dritë mbi faktin se “projekt novativ” u propozua nga dyshja e biznesmenëve në arrati, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dhe u fitua prej tyre pa garë, pasi paguan një udhëtim 3-ditor në Itali për zyrtarët lokalë të Partisë Socialiste.
Pjesë e udhëtimit ishin kryebashkiaku i kohës për Korçën, Niko Peleshi, sot ministër i Mbrojtjes dhe drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare. Grupit i është bashkuar në Itali edhe Arben Ahmetaj – asokohe deputet i Partisë Socialiste për zonën e Devollit.
Udhëtimi në Itali u zhvillua në datat 11-14 prill 2013 dhe sipas SPAK, biletat e avionit, qëndrimi në hotel dhe shpenzimet e udhëtimit u paguan nga dyshja Mërtiri- Zoto.
SPAK gjeti në kompjuterin e Zotos edhe disa fotografi, ku në njërën prej tyre, Peleshi, Ahmetaj, Tare dhe shtetasi italian, Francesco Pistritto shfaqen të buzëqeshur përkrah Mërtirit dhe Zotos në godinën e Pantheonit në Romë.
Në dëshminë e tij për SPAK, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se nuk kishte bërë pagesa për biletën e avionit dhe qëndrimin në hotel, pasi kishte qenë i ftuar nga UKKO Korçë dhe prezumonte që “pagesat i ka kryer kjo ndërmarrje”.
Por dëshmia e Peleshit bie në kontradiktë me atë të Tares, i cili pohoi në dëshmi se biletën e tij të avionit e kishte paguar Klodian Zoto dhe për hotelin “nuk kishte paguar gjë”.
Përgjatë biznesit të tyre me zyrtarët socialistë, Mërtiri dhe Zoto kanë paguar me dhjetra herë shpenzime udhëtimi dhe qëndrimi në hotele luksoze – çka në rastin e Ahmetajt është vlerësuar si përfitim i jashtligjshëm në formën e mitmarrjes nga Prokuroria e Posaçme.
Ministri Peleshi dhe administratori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare nuk ishin të arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.