Për të tretin vit rradhazi në “Qafën e Barçit” një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Montepellier, po kryejnë ekspeditën kërkimore për një vendbanim Ilir, i cili daton rreth shek VIII ose 2800 vite më parë.
Si rezultat i kërkimeve, është përfituar kultura materiale, ku përfshihet qeramika me pikturim “Mat” dhe strukturat qytetare Ilire. Për drejtuesen e këtyre punimeve Dr.Rovena Kurti Ruka, zona e korçës është një prej zonave e cila është shumë e pasur me vendbanime arkeologjike, ndërsa për konkretisht zona ku po kryhen kërkime është vetëm në fillimin e zbulimeve.
Nisur nga të dhënat premtuese, të cilat tregonin shtrirjen e këtij vendbanimi në kohë dhe nga përmendja për herë të parë e këtij vendbanimi nga Arkeologia Shqiptare Zhaneta Andrea në vitet 1960, shtyu kërkuesit të zhvillonin ekspedita në “Grykën e Barçit” një pozicion ky strategjik edhe për banorët ilirë të vendosur aty.
Kërkimet sipas drejtueses së punimeve janë ende duke zbuluar fakte dhe elemente të reja mbi historinë më shumë se 2800 vjeçare dhe mënyrën e ogranizimit dhe jetësës në këto periudha. Gjatë kësaj vere priten edhe grupe të tjera të arkeologëve, të vazhdojnë kërkimet në zona të ndryshme si Pogradeci, Maliqi dhe Korça.