22.9 C
Pogradec
24.1 C
Korçë
23.7 C
Bilisht
23.2 C
Ersekë
23.1 C
Maliq
23.9 C
Liqenas
Tuesday, July 8, 2025

Polakja që po pikturon doganën në Kapshticë, ka realizuar mbi 150 murale në vende të ndryshme të botës…

- Advertisement -

Maria-Rosa Szychowska është artistja polake që po realizon një murale në fasadën e godinës në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, duke i dhënë kështu një tjetër imazh syrit të çdo udhëtari që kalon përmes kësaj pike drejt shtetit grek dhe jo vetëm. Puna e artistes polake është sa e bukur aq edhe një gjetje tejet e veçantë, pasi jo vetëm kjo pikë, por edhe Qafë Thana do të shndërrohen së shpejti në një imazh që sjell një panoramë fantastike ngjyrash kuruar me detaje.

Për artisten është hera e parë që viziton Shqipërinë dhe si e tillë ka ngjallur shumë emocion për të, pasi dhe bashkëpunimi ka qenë shumë i frytshëm, për të mos lënë pas as mikpritjen apo natyrën e mrekullueshme që ka njohur këtu.

  • Maria Rosa Szychovska: “Jam nga Polonia, jam rritur në Kanada dhe jetoj në Australi. Është hera e parë që vij këtu, e adhuroj shumë, njerëzit janë shumë të dashur, pamjet janë shumë të bukura dhe ushqimi është shumë i shijshëm. Është pak më ndryshe nga çfarë bëj zakonisht, pasi unë pikturoj më shumë portrete, por përdor shumë ngjyra për të qëndruar në një pamje realistike. Ideja ishte që të sillja natyrën tek një vend urbanistik. Më ishte kërkuar që të bëja diçka në lidhje me natyrën dhe kështu veprova. Përfshiva natyrën, por me shumë ngjyra. Unë merrem me këtë profesion prej rreth 10 vitesh. Duket shumë e thjeshtë, por ka shumë vështirësi. Si fillim duhet të kujdesesh për motin. Ndonjëherë ke të bësh me një mot shumë të nxehtë dhe ndoshta dhe me shi. Gjithashtu duhet të punoj në një lartësi të madhe dhe duhet të ngre dhe pesha të rënda, kështu që duhet të jem në një formë të duhur. Sa i përket bashkëpunimit, këtu të gjithë kanë qenë të mrekullueshëm. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë deri tani. Po, do doja me shumë kënaqësi të vija ta vizitoja gjithë vendin. Por meqenëse tani kam për të bërë dhe një pikturë në Qafë Thanë dhe kam një rutinë të zënë, do të vij pak më vonë për të zbuluar dhe vizituar të gjithë vendin. Dhe më pëlqen shumë, është e mrekullueshme. Është një gjë që njerëzit tërhiqen kur e shohin, diçka e lumtur dhe e qetë, pa ndonjë kuptim të fshehur.”

Artistja polake ka vizituar shumë vende të botës si Amerikë, Australi, Kanada etj., duke lënë gjurmë me punën e saj dhe profesionalizmin. Ajo shpjegon se janë mbi 150 murale që kanë rijetëzuar lagje apo fasada të ndryshme objektësh.

  • Maria Rosa Szychovska: “Është e vështirë për t’u thënë, pasi kam shumë që merrem me këtë gjë. Kam pikturuar në Kanada, në Amerikë, Australi dhe me një përafërsi mund të them mbi 150 murale. Do të thoja një murale që kam bërë në lagjen time në Sidney, është një grua e cila përfaqëson oqeanin dhe në flokët e saj mund të shohësh kafshët e oqeanit. Në fakt, mua ma kërkuan që të vija këtu dhe të pikturoja diçka për festivalin. Dhe meqenëse nuk kisha qenë ndonjëherë në Shqipëri, mu duk një mundësi e mirë dhe pranova të vija. Ideja ishte vetëm që të sillja natyrën dhe të rikujtoja njerëzit për lulet që ndodhen rreth e rrotull.”

Pas pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, artistja polake do të vijojë edhe me Qafë Thanën, me tematikën e një natyre të veçantë dhe plot ngjyra.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit