Akademia e Arteve Marciale “Kung Fu Pogradec” prej vitesh trajnon qindra të rinj pogradecarë, të cilët shpesh bëhen pjesë e kampionateve të ndryshme, ku jo rrallë kanë rrëmbyer vendet e para dhe kanë krenuar qytetin. Ky sport, që në dukje është i dhunshëm, mëson disiplinën dhe vetëpërmbajtjen dhe tashmë po kthehet në një traditë për Pogradecin.
Për herë të parë, Dritan Lushka ishte ai që mori iniciativën për të nisur një rrugëtim, ku pjesë e tij do të bëheshin vajza dhe djem të grupmoshave të ndryshme. Pogradeci dhe Shqipëria shpesh janë bërë krenare kur në kompeticione ndërkombëtare, me krenari është ngritur flamuri shqiptar në vendet e para, nga sportistët e trajnuar nga Lushka.
Disa prej tyre tregojnë se kanë objektiva ta vazhdojnë dhe më tej këtë disiplinë sportive dhe, pse jo, të marrin çmime që të krenojnë familjet e tyre dhe vetë qytetin e vogël me talente të mëdha.
Vetë Dritan Lushka rrëfen objektivat dhe historikun e ngritjes së këtij grupi sportiv, të cilit çdo ditë po i shtohen gjithnjë e më shumë të rinj pasionantë dhe kureshtarë për artet marciale.
Rrugëtimi i “Kung Fu Pogradec” po shenjon sportin e arteve marciale dhe pothuajse në të gjitha kampionatet, sportistët e tij po kthehen me medalje dhe vlerësime tepër të larta.