Rally Albania, me itinerarin e saj të gjatë, po shtrin garat edhe në Qarkun e Korçës. Nga Qeparoja, garuesit e këtij sporti ekstrem i janë drejtuar Voskopojës dhe më pas do të garojnë në zonën e Bishnicës në Pogradec. 300 garues në kategori të ndryshme, nga më shumë se 20 vende të botës, do të sfidojnë terrenet e thepisura dhe të vështira të juglindjes.
Doktori motorrist i skuadrës italiane tregon emocionet e këtij sporti, teksa shpreh dhe vështirësitë që hasen në terrenin malor të Shqipërisë. Ndryshe nga vitet e tjera që ai ka qenë garues, këtë vit ka një rol të veçantë, t’i ndihmojë miqtë e tij në rast të incidenteve gjatë garës.
“Unë jam Fabrico Divicenco dhe vij nga Italia. Nuk është hera ime e parë këtu, unë kam qenë për rreth 10-11 vite që kam marrë pjesë si një pilot. Më pëlqen shumë organizimi, unë kam qenë në shumë gara por është hera ime e parë kjo që jam doktori i garës. Pra, doktori i garës me një motor. Nuk mund ta ndaj kush më pëlqen më shumë të jem doktor apo një garues, por janë gjëra të ndryshme me ndjesi të ndryshme.
Po, është shumë e vështirë në këto zona sepse shkojmë në terren të vështirë. Momente të vështira mund të them gjithmonë kur thyej ndonjë kockë të trupit tim. Këta djemtë që ju po shihni këtu që punojnë janë shumë të rëndësishëm. Galileo është mekanik ndërkombëtar, ndërsa personi tjetër është një garues makinash shumë i njohur.
Po, ne jemi të gjithë një ekip dhe ata e bëjnë këtë punë çdo ditë me gomat. Ne qëndruam në Tiranë, Qeparo dhe tani në Korçë. Po, zonat në Korçë janë të vështira pasi kemi garuar përgjatë maleve. Ne sot u kthyem nga Voskopoja dhe atje mbaruam pjesën e 3-të. Ne do të qëndrojmë këtu 2 ditë dhe pastaj do të shkojmë në një vend me bregdet dhe më pas do të kthehemi përsëri në Tiranë.”
Një prej pilotëve tregon se është i suprizuar nga terreni i zonës së Korçës dhe nga mikpritja e vendasve. Edhe pse garon për herë të parë në Rally, Tulio tregon se gara ka adrenalinë.
“Unë jam Tulio dhe vij nga Italia. Po, është hera ime e parë në Korçë dhe më pëlqen shumë, ishte vërtet suprizuese. Po, është e vështirë, ka zona të vështira që kanë edhe gurë, por mund të them që pamja është fantastike gjë që e bën garimin një kënaqësi.
Çdo zonë është e vështirë dhe të gjitha zonat ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ne nisëm nga Tirana, Qeparo dhe tani jemi në Korçë pra kemi provuar zona të ndryshme. Mendoj se do të ketë një çmim për garuesin e parë dhe për garuesit nga kategori të ndryshme, por ende nuk e di cili do të jetë çmimi.
Nuk kam bërë shumë gara, në fakt disa i kam bërë në Itali por rally është hera ime e parë që bëj këtu në Shqipëri. Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm gjithashtu dhe pamjet, ishte një kënaqësi për mua të eksploroja Shqipërinë. Jo, mesa di unë asnjë nga garuesit nuk është dëmtuar në këto zona.”
Rally Albania vjen për vitin e 20-të dhe gërsheton rrezikun, garën dhe adrenalinën e pjesëmarrësve të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Terrenet malore me vështirësi janë itinerari që ndjekin garuesit. Gara ka nisur në Kryeqytet, më pas është zhvendosur në jug, për të kaluar më pas në juglindje dhe për t’u rikthyer përsëri aty nga u nisën.