Përmes një sezoni të suksesshëm dhe një paraqitjeje që ka kaluar çdo pritshmëri Skënderbeu ka një përfituar një “thesar” në raport me rritjen e lojtarëve dhe vlerën që kanë fituar ata në merkato.
Pikërisht për këtë korçarët duket se nuk njohin pushime por janë të përqendruar në çdo moment tek hapësirat e merkatos dhe menaxhimi maksimal i resurseve që kanë në përbërje.
Në kushte të tilla janë disa futbollistë të bardhekuqve që kanë pësuar rritje të “frikshme” të vlerës së merkatos në këtë sezon.
Rritje e cila po mundohet të menaxhohet maksimalisht nga ana e korçarëve në hapësirën e merkatos.
Duke iu referuar portalit të dedikuar për vlerësimin e futbollistëve që është “transfermarkt”, në krye të listës sa i përket rritjes së vlerës në bazë të performancës së treguar gjatë gjithë sezonit qëndron Dean Liço.
Kapiteni i Skënderbeut ka një rritje me 200 mijë euro që tregon shumëçka rreth performancës së tij. Liço ka mbajtur peshën më të madhe sa i takon asaj çka i ka dhënë Skënderbeut në këtë sezon duke fituar me cilësi edhe shiritin e kapitenit të korçarëve këtë edicion.
500 mijë euro vlen tashmë kartoni i lojtarit që ka pasur interesime nga klube të ndryshme gjatë kësaj periudhe ku në krye të listës qëndrojnë bullgarët e CSKA Sofia dhe rumunët e Clujit.
Menjëherë pas tij vjen një tjetër futbollist premtues siç është Ermir Rashica.
Me një vlerë kartoni që shkon në 350 mijë Euro, dhe një rritje prej 150 mijë eurosh Rashica mbetet një prej talenteve më premtues të bardhekuqve. Edhe për kosovarin interesi i Klujit nga Rumania është konkret dhe që po vlerësohet në maksimum nga Skënderbeu.
Për të dy futbollistët në fjalë korçarët kanë një kontratë të vlefshme edhe për dy sezone të tjera çka jep mundësinë që të marrim maksimumin dhe të pretendojnë një shifër transferimi akoma edhe më të madhe.
Në listën e futbollistëve që janë vlerësuar me marzhin e rritjes në barë të performancës nuk janë vetëm Liço dhe Rashica.
Në këtë grup kanë hyrë edhe futbollistë të tjerë që kanë dhënë kontributin maksimal në këtë sezon me Skënderbeun.
I tillë është rasti i Dejvid Janaqit dhe Andreas Gërxho që kanë pasur rritje të “frikshme” përgjatë këtij sezoni.
Po kështu edhe Mario Rabiu dhe Marko Alia që vijojnë të ngjiten sa i përket vlerës së tyre në treg për momentin gjithnjë duke iu referuar të njëjtit burim.
Të tilla situata veçse kënaqin drejtuesit e klubit bardhekuq që kanë përpara një merkato të “zjarrtë”, merkato që mund të sjellë shumë surpriza dhe mbi të gjitha financa të sigurta për korçarët në prag të sezonit të ri.