Burimi:Telegrafi
“Mjerisht, ëndrra amerikane ka vdekur”, ka thënë Donald Trump para masave të mbështetësve, kur në vitin 2015 njoftoi për ofertën e tij për presidencën e ShBA-së. “Por, nëse zgjedhem president, do ta kthej atë [ëndërr], më të madhe, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë”.
Tashti që zgjedhjet amerikane të vitit 2024 po afrohen, ëndrra amerikane është rikthyer në axhendë me presidentin Biden, i cili gjithashtu premtoi rikthimin e saj – duke deklaruar në një fjalim, në nëntor 2023, se “Bidenomia është veç një tjetër mënyrë për të thënë ‘ëndrra amerikane’”.
Përmendur për herë të parë në shtyp në librin Epika e Amerikës [The Epic of America, 1931] nga historiani dhe biznesmeni amerikan James Truslow Adams, ëndrra amerikane është bërë sinonim i mobilitetit social, i realizimit të vetvetes, ndërsa filloi, siç shkroi ai, si “ëndërr e një rendi shoqëror në të cilin çdo burrë dhe çdo grua do të jenë në gjendje të arrijnë nivelin më të lartë për të cilin janë nga lindja të aftë”. Me Raportin Global të Mobilitetit Social 2020, i cili e rendit ShBA-në në vendin e 27-të në botë, aspiratat e shekullit të kaluar mund të duken të rrënuara.
Sot, koncepti ka marrë formë në një sërë imazhesh të jashtëzakonshme, shumë nga të cilat të mbledhura në Periferia – Ndërtimi i ëndrrës amerikane [Suburbia – Building the American Dream], në ekspozitën e re në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës (CCCB) që eksploron, siç thotë drejtoresha e muzeut, Judit Carrera, “historinë kulturore të periferive amerikane” dhe “se si arkitektura ka implikime përtej estetikës”.
Kur marinsat amerikanë u kthyen nga Lufta e Dytë Botërore, të etur për t’u vendosur pranë më të dashurve të tyre, ëndrra amerikane e një vatre familjare, larg banesave të mbushura me njerëz – të cilat karakterizonin pjesën më të madhe të jetesës në qytet – u ngulit në ndërgjegjen kombëtare, ndihmuar kjo edhe nga fushatat propagandistike shtetërore që promovonin pronësinë e shtëpisë.
Krijimi i shpejtë i vendbanimeve periferike, si Leviauni në Pensilvani, ishte përgjigje praktike ndaj mungesës së shtëpive – për shkak të bumit të bebeve [baby boom] – dhe këto lagje të kopjuara në Beruin të Ilinoisit, sipas fotos së shkrepur më 2023 nga fotografi amerikan Benjamin Grant, tani strehojnë më shumë se gjysmën e popullsisë amerikane.
Por, shtëpia e veçuar në periferi, me kopshtin e saj të zbukuruar për merak dhe me gardhin e bardhë nënkuptonte shumë më tepër sesa një zgjidhje strehe. Ishte komponent kyç i ëndrrës amerikane, shpjegon Carrera, e cila dëshiron të theksojë ambivalencën e ekspozitës për idenë e ëndrrës amerikane, duke e përshkruar atë si “njëkohësisht utopike dhe distopike”.
Ëndrra amerikane, siç shihet, nuk sjell domosdo përmbushje. Fotografja amerikane Angela Strassheim e paraqet përvojën e drekës amerikane si diçka të zakonshme (Ngecja, 2005), ndërsa te Dëshmia (2009) ua bën të ditur njerëzve se shtëpia dikur e lumtur e tyre, ka qenë vend i vrasjes. Ëndrra amerikane, sugjeron ajo në një imazh të vitit 2005 (foto më lart), nuk mund t’ju bëjë të lumtur – përkundrazi, lakmia jonë e ka bërë jetën groteske, me ballkonet dhe me parmakët si tentakula.
Kritika dhe gazetarja që merret me temat e arkitekturës, Kate Wagner, bëri diçka të ngjashme një dekadë më vonë kur lancoi blogun e saj satirik McMansion Hell, duke zbuluar, nga një këndvështrim arkitekturor, tmerret vizuale të shtëpive më me nam dhe më të mëdha të Amerikës. Duke komentuar imazhet e realizuara nga agjentët e pasurive të paluajtshme, ajo i kritikon pronat më të shëmtuara ku ëndrra amerikane është tejkaluar.