Prespa edhe pse është një ndër zonat me atraksione të shumta turistike në Juglindje, përsëri nuk është prekur nga bumi turistik në vend. Duket se vëmendjen më të madhe në këtë qark, e ka Korça dhe Pogradeci, duke lënë pas Qytezën e Pustecit, e cila ka vetëm 4 hotele me maksimumi 65 shtretër. Një sasi e vogël kjo e shërbimeve të hotelerisë që mund të mikpresë vizitorë. Më të shumtë janë turistët e huaj të cilët organizohen nëpërmjet agjensive turistike që kanë futur në hartën e tyre Prespën.
Sipas përgjegjësit të turizmit në Bashkinë Pustec, Llazi Stojan edhe pse ka shumë atraksione turistike, përsëri zona e Prespës nuk ka një numër të lartë të vizitorëve, kjo për shkak dhe të numrit të ulët të subjekteve të hoteleri-turizmit, ndërsa mungesa e plazheve përgjatë liqenit të Prespës është një tjetër shkak që ndikon negativisht tek turizmi.
Ndërsa për operatorët turistik, infrastruktura është një ndër shkaqet që turistët janë më të pakët në këtë zonë. Ndërsa sipas tyre, rezervimet kanë nisur në këtë zonë nga pushuesit, por përsëri nuk kemi të bëjmë me një bum turistik ashtu siç potencohet në media për Shqipërinë. Llazi Argjiri është një prej pronarëve të një hoteli në këtë zonë, i cili thotë se ka një rritje të turizmit, por jo në nivelet që priten. Ndërsa ai shton se kapacitetet e pritjes janë të pa mjaftueshme, pasi shpesh hërë ka edhe mungesa të punonjësve.
Bashkia e Prespës është një zonë minoritare Maqedonase, por që ende nuk e ka parë lulëzimin e turizmit. Edhe pse ka një shtim të vizitorëve, kapacitet e hotelerisë dhe infrastruktura janë disa prej shkaqeve që ende kjo zonë nuk ka një vëmendje të lartë dhe një fokus më të madh në promovim./PogradeciPress.al

