Burimi:Korca Boom
Pronarët e shtëpive përballen me një faturë prej 25 trilionë dollarësh nga ndryshimet klimatike. Prona, klasa më e madhe e aseteve në botë, është më e cenuara, shkruan The Economist
Banorët e Italisë Veriore nuk kishin përjetuar kurrë një dukuri natyrore si stuhia që goditi rajonin verën e kaluar. Në Milano, Parma, Torino dhe Venecia, ra breshër deri në 19 cm.
U thyen dritare dhe panele diellore, u plasaritën pllaka dhe u gërvishtën makina. Kjo ngjarje i kushtoi industrisë së sigurimeve 4.8 miliardë dollarë, duke e bërë atë fatkeqësinë natyrore më të shtrenjtë në botë nga korriku deri në shtator (këto shifra përjashtojnë Amerikën, e cila i mbledh të dhëna të tilla veçmas).
Megjithatë, drejtuesit e shoqërive të sigurimit, nuk u befasuan. Ndryshimet klimatike po i bëjnë incidente të tilla shumë më të zakonshme. Në dekadën nga viti 2000 deri në 2009, vetëm tre stuhi i kushtuan industrisë së sigurimeve më shumë se 1 miliard dollarë me çmimet e tanishme. Nga viti 2010 deri në vitin 2019, ranë dhjetë stuhi të mëdha.
Që nga viti 2020, kanë rënë gjashtë. Stuhi të tilla tani janë përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kostove të sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, sipas firmës Swiss Re. Në Europë, një kontinent që nuk njihet për motin e skajshëm, humbjet kanë arritur në 5 miliardë dollarë në vit, për tre vitet e fundit.
Ndryshimet klimatike po u bëjnë dëm të madh pronave në të gjithë botën. Uraganet, zjarret dhe përmbytjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda.
Po shtohen edhe fatkeqësitë natyrore më të zakonshme. Për shembull, në Londër, gjatë valëve të të nxehtit, thahet shtresa e argjilës mbi të cilën qëndron pjesa më e madhe e qytetit dhe kjo po shkakton fundosje të terrenit, duke bërë që pronarët e shtëpive të ngarkohen me fatura të mëdha.
Një problem i ngjashëm prek edhe Amsterdamin, ku shumë ndërtesa të vjetra janë ndërtuar mbi pirgje druri të ngulitura në tokën moçalore. Periudha e zgjatur e thatësisë në verë po ul nivelin e ujit, duke tharë themelet e drunjta dhe duke i ekspozuar ato ndaj ajrit. Kjo bën që drurët të kalben, duke shkaktuar që ndërtesat të zhyten edhe më thellë në tokë.
Pronarët e pafat të shtëpive mund të ngarkohen me fatura prej 100,000 eurosh (108,000 dollarë) ose më shumë, për të riparuar dëmin.
Dhe përveç riparimeve të shtrenjta si pasojë e ndryshimit klimatik, qeveritë mund t’i detyrojnë pronarët e shtëpive që të instalojnë sisteme për ngrohje dhe ftohje që nuk lëshojnë shumë karbon, ose mund t’i detyrojnë ata të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive, duke shtuar edhe më shumë kostot.
Shpenzime të mëdha
Për rrjedhojë, pronarët e shtëpive janë ngarkuar me tarifa të larta. Nuk është vlerësuar ende një shifër e saktë, por firma MSCI, që përpilon treguesit financiarë, mendon se gjatë 25 viteve të ardhshme, kostot e ndryshimeve klimatike, si për dëmtimin e pronës, ashtu edhe për investimet për uljen e emetimeve të karbonit, mund të arrijnë në pothuajse një të dhjetën e vlerës së banesave për portofolat e investitorëve institucionalë.
Nëse e njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe për banesat në përgjithësi, atëherë bota do të përballet me një kosto prej rreth 25 trilionë dollarësh.
Kjo kosto është aq e madhe, sa do të ketë pasoja të rënda, jo vetëm për pasurinë e individëve, por edhe për sistemin financiar. Prona është klasa më e rëndësishme e aseteve në botë, duke përbërë dy të tretat e pasurisë globale.
Shtëpitë janë në zemër të shumë prej tregjeve financiare më të rëndësishme në botë dhe kyçe për hipotekat që shërbejnë si kolateral në tregjet e parasë dhe mbështesin bilancet e bankave.
Nëse rreziku rritet në mënyrë të menjëhershme dhe huamarrësit dhe huadhënësit kuptojnë se kolaterali që mbështet gjithë ato transaksione nuk vlen më aq sa ata mendonin, atëherë tregjet financiare do të pushtohen nga një valë e ndryshimit të çmimeve.
Do të prekeshin edhe financat e qeverive, sepse pronarët e shtëpive do të kërkonin ndihma të shtrenjta. Me pak fjalë, në të ardhmen, ndryshimet klimatike mund të nxisin përçarje në tregun e pronave.
Deri tani, rreziqet e ndryshimeve klimatike nuk janë reflektuar plotësisht në çmimet e banesave. Një studim në revistën “Nature” zbulon se, nëse do të merreshin parasysh vetëm humbjet që priten nga përmbytjet shtesë, vlera e shtëpive amerikane do të binte me 121-237 miliardë dollarë. E vërteta është se shumë blerës dhe shitës, thjesht janë të pavetëdijshëm për rreziqet.
Kur fillon ndërgjegjësimi për këto rreziqe, atëherë çmimet ndryshojnë. Një studim i botuar në vitin 2018 në revistën “Journal of Urban Economics” zbuloi se kishte pasur një rënie të vazhdueshme prej 8% të çmimit të shtëpive të ndërtuara në fushat e përmbytura në Nju Jork pas uraganit Sandy, i cili shkaktoi një përmbytje të madhe në vitin 2012.
Prona në zonat e Kalifornisë ku bie shpesh zjarr, kushtojnë rreth 4% më pak se shtëpitë jashtë zonave të tilla.
Në shumë raste, rreziqet që paraqet ndryshimi i klimës për pronat, po bëhen të dukshme në mënyrë të ngadaltë, si në rastin e problemeve që shkakton klima në gjeologjinë e Londrës. Tullat e verdha, me të cilat janë ndërtuar shumë shtëpi në këtë qytet, prodhohen nga balta mbi të cilën qëndrojnë shtëpitë.
Kohët e fundit është zbuluar se nuk është mirë të ndërtohet me këtë lloj balte. Gjatë dimrave tashmë më të butë, ka reshje më të larta, sepse ajri i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi. Ndërsa balta thith shiun, ajo bymehet. Më pas verërat më të nxehta e thajnë përsëri baltën, duke shkaktuar tkurrjen e tokës.
Ky nuk do të ishte ndonjë problem nëse zgjerimi dhe tkurrja do të ishin të njëtrajtshme, thotë inxhinieri Owen Brooker.
Por nuk ndodh kështu, për shkak të pemëve, të cilat thithin lagështinë rreth e rrotull tyre. Për rrjedhojë, toka në disa zona shtrëngohet dhe ngrihet lart, dhe shtëpitë që qëndrojnë sipër saj plasariten.