Shkruhet në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli: Personalisht median e cilësoj si një bashkëpuntore mjaft të mirë për të zgjidhur problematikat e ndryshme që kanë familjet në Pogradec, e që për hir të së vërtetës në bashkinë tonë ka me qindra familje në nevojë. Edhe pse ne jemi munduar që herë pas here të jemi pranë tyre me paketa ushqimore, sigurisht që ato nuk janë zgjidhja përfundimtare.
Sot isha pranë familjes Zabzuni, e cila dy ditë më parë nëpërmjet Report Tv, lëshoi një apel për ndihmë. Më vjen mirë që ndryshe nga shumë familje të tjera, vajza e madhe ishte e gatshme për të punuar në mënyrë që të shtojë të ardhurat për familjen. Ndërkohë ne si bashki për ti lehtësuar sado pak do të ndërmjetësojmë një vend pune në sektorin privat për vajzën, pagesën e bonusit të qerasë si dhe paketa ushqimore periodike.
Përfitoj nga rasti të them se ne po mundohemi fort që të krijojmë në fond banesash sociale për familjet e pastreha dhe në momentin e parë që do të kemi programin, kjo familje do të trajtohet me prioritet. Këta fëmijë kanë pasur një gjyshe heroinë e cila nuk jeton më dhe që vazhdimisht sipas mundësisë i kemi ndihmuar më herët, kanë një nënë heroinë që ka dhuruar veshkën për vajzën e vogël dhe tashmë do të kenë prëkrahjen tonë dhe të komunitetit për tu ndihmuar edhe më tej.