Maliqi është një ndër qytetet pa spital në Qarkun e Korçës. Banorët e këtij qyteti dhe fshatrave të tij janë të detyruar të shkojnë për raste urgjente dhe ekzaminime mjekësore specialistike në Spitalin Rajonal në Korçë. Edhe pse qendra shëndetësore në Maliq ofron një shërbim infermieror 24 orë dhe dy mjekë që punojnë vetëm në turnin e parë, ky shërbim duket i pamjaftueshëm për banorët, pasi në këtë qendër trajtohen vetëm rastet e lehta që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Banorët thonë se kjo situatë ka rritur kostot e tyre, pasi për çdo rast duhet të udhëtojnë në spitalin e Korçës, ndërsa të tjerë thonë se Maliqi duhet të ketë një spital të plotë me mjekë dhe logjistikë. Ndërkaq, popullsia e Maliqit është më shumë se 60 mijë banorë. Ndërkohë, qendra shëndetësore është në një proces restaurimi, dhe shërbimet momentalisht jepen në një godinë provizore e cila dikur është përdorur për qëllime shëndetësore.