Edhe pak ditë kanë mbetur nga aplikimi i amnistisë penale tashmë të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe që ka marrë dhe bekimin nëpërmjet dekretit të Presidentit të Republikës. Nga kjo amnisti penale përfshihen edhe të dënuarit në burgun e Drenovës. Sipas burimeve zyrtare të Pogradecipress.al mësohet se rreth 44 të dënuar fitojnë automatikisht lirinë, ndërsa mbi 80 të tjerë do të përfitojnë 1 vit e gjysëm ulje të dënimit.
Burgu i Drenovës mbetet një ndër burgjet më të populluar në vend. Vetëm në muajin shkurt 2024 në këtë IEVP numërohen 250 persona të paraburgosur dhe 214 të dënuar, ndërsa kapaciteti institucionit është 380 persona, thënë ndryshe 84 persona më tepër se kapaciteti. Duket se amnistia do të shkarkojë ndjeshëm numrin mbi kapacitet të personave në IEVP Drenovë.
Ndërkaq së shpejti pritet që edhe IEVP në Pojskë të nisi funksionin, ky burg do të rehabilitojë gra. Ky vendim është bërë pak ditë më parë publik nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja./Pogradecipress.al