Mësuesit kanë treguar një besim të pakët ndaj sindikatave pasi sipas tyre ato nuk u kanë mbrojtur interesat dhe të drejtat. Por së fundmi një alternativë e re i shtohet përfaqësimit të tyre. Presidentja Alma Lama flet në një intervistë për SBASH, për misionin dhe qëllimin e saj.
“Ne si SBASH, për herë të parë në Shqipëri vijmë me kufizimin e mandatit të kryetarit, problematikë e ndeshur në të gjitha organizatat sindikale që operojnë aktualisht në vendin tonë. Kufizimi i mandateve ndihmon në krijimin e lidershipit brenda organizatës, heq përfundimisht favorizimet dhe përfitimet, hap garën dhe sjell një organizatë që meritojnë mësuesit” kështu ka deklaruar kështu Alma Lama, presidentja e të sapoformuarës, Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar (SBASH). Në një intervistë të dhënë për Portalin Shkollor Albas, Lama ka folur për misionin dhe qëllimin e kësaj përfaqësie të re për mësuesit dhe pedagogët në Shqipëri. Por ndërkohë ajo është ndalur edhe te problemet që hasin arsimtarët sot dhe zgjidhjet që synojnë.
Lëvizjeve sindikaliste në vendin tonë i është shtuar për hir të së vërtetës edhe një sindikatë e re e cila quhet Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar. Si u krijua dhe nga kush përfaqësohet kjo sindikate?
Rreth 700 nënshkrues, mësues dhe pedagogë u bashkuan në mbështetje të krijimit të një sindikate që të ndihen të përfaqësuar, te mbështetur dhe të trajtuar me dinjitet në vendin e tyre të punës.
Prej shumë vitesh tashmë kanë shprehur pakënaqësi dhe shqetësime që i janë drejtuar shpeshherë si sindikatave ashtu edhe drejtuesve të tyre në rrethe e më lart. Këto shqetësime nuk janë trajtuar e aq më pak të kenë gjetur zgjidhje. Më poshtë po listoj disa prej kërkesave te tyre:
- Paga jonë prej vitesh nuk rritet. Paga e një arsimtari sot, është qesharake e nuk mjafton për të përballuar kostot e jetesës. Paga e arsimtarit është thjesht pak më e lartë se paga minimale në vend.
- Figura e arsimtarit po përbaltet vazhdimisht duke u mbingarkuar me punë burokratike, duke iu cunguar autonomia në mësimdhënie dhe duke u sulmuar herë pas here nga pseudo struktura.
- Mësuesit përndiqen me video të cilat shpeshherë janë montazhe, dhe sindikata nuk ka marrë masa për t`i ndjekur e për t`i zgjidhur duke i braktisur anëtarët.
- Legjislacioni në arsim është penalizues dhe nuk reflekton zgjidhje të problemeve të përditshme në arsim që ne hasim.
- Në sindikatë nuk ka struktura demokratike, prej vitesh tashmë çdo vendim diktohet nga kryetari dhe votohet nga anëtarë që me strukturat e reja, janë pasivisht të komanduara nga ai.
- Sindikatat janë kthyer në struktura vegjetuese që funksionojnë vetëm për mbledhjen e kuotave dhe prej më shumë se prej 5 vitesh nuk është bërë asnjë aksion sindikal për të drejtuar e zgjidhur problemet tona dhe asnjëri prej nesh nuk mban mend të jenë organizuar greva në arsim, ndërkohë që problemet tona janë tepër të thella.
- Ne si mësues e vetmja gjë që shohim nga sindikata është show mediatik dhe asnjë veprim konkret për të zgjidhur problemet tona kolektive.
- Ne profesorët e arsimit të lartë, nuk jemi përfaqësuar kurrë në strukturat e SPASH/FSASH dhe problemet tona nuk janë adresuar kurrë askund.
- Arsimtaret gra nuk janë të përfaqësuara në sindikatë. Prej më shumë se 10 vjetësh kërkojmë shanse të barabarta e vendosjen e kuotës gjinore, gjë e cila nuk është hedhur kurrë në diskutim. Strukturat drejtuese të SPASH/FSASH dominohen prej vitesh vetëm nga burra si edhe në disa raste bashkëshortët burra të grave të komanduara në rrethe. Në aktivitetet e organizuara për të trajtuar shqetësimet e grave, masivisht përfaqësohemi vetëm nga burra dhe informacioni i marrë nga këto aktivitete nuk përcillet kurrë tek ne.
- Në sindikata mungon transparenca, qoftë financiare qoftë organizative. Më parë sindikatat kanë organizuar aktivitete edhe me anëtarët e thjeshtë, ndërkohë sot gjendemi para situatës ku ne jemi lënë në baltë.
Për sa më sipër, duke qenë se ne nuk jemi ndjerë të përfaqësuar dhe jemi kategorikisht të mendimit që sindikatat nuk duhet të funksionojnë në këtë mënyrë që po funksionojnë tani, lindi si urgjencë dhe domosdoshmëri krijimi i një sindikate të re, totalisht të pavarur, me struktura të vërteta demokratike, me mandate të kufizuara të të zgjedhurve, transparente dhe që do të punojë realisht për të përfaqësuar arsimtarët në çdo shkallë të arsimit.
Për këtë arsye, anëtarë dhe jo anëtarë të aleancës sindikale, gra dhe burra, mësues në arsimin parashkollor, parauniversitar dhe atë të lartë më mbështetën pa kushte në fillimin dhe përfaqësimin në këtë nisme, konform principeve të vendosura paraprakisht me të gjithë së bashku. Kështu nisi lëvizja duke u finalizuar nga gjykata në 15 Shkurt 2024. Themeluesit janë mësues dhe pedagogë me CV te pasur, novatorë dhe vizionarë të gatshëm për të sjellë ndryshime cilësore në jetën profesionale të punonjëseve të arsimit.
Pse një sindikatë e re për arsimin? Cili është synimi i saj? Po motoja?
Sindikata e re ju përgjigj kërkesës së bazës sindikale për përfaqësimin e mësueseve dhe pedagogëve nga një sindikatë opozitare me çdo qeverisje, që të drejtohet nga një lidership i organizuar, novatorë dhe vizionarë në sistem. Gjithashtu nga mësuesit vazhdimisht kërkohej transparence, afishim në faqen zyrtare te CV së kryetarëve përfaqësues nga çdo qytet, përfaqësim gjinor dhe zgjedhje të strukturave nga mësuesit dhe jo individë të komanduar nga kryetaret. Sindikata SBASH erdhi në kohen e duhur për ndërhyrje mbi reformat e qeverisjes ne arsim duke mbajtur larg ndikimet politike, të cilat kanë dëmtuar me qëllim lëvizjet sindikale si dhe i kanë shërbyer politikës për matje numrash/votash në zgjedhjet e radhës dhe jo duke i ardhur në ndihmë maksimale sistemit arsimor dhe punës me dinjitet.
Ne synojmë të jemi një organizate demokratike që bashkon APU dhe AL, publik dhe privat, që shtrihet në të gjithë territorin shqiptar, mbështet dhe motivon mësuesit dhe profesorët, kontribuon për një arsim cilësor, që do të sjellë respektivisht zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie për gjithë shoqërinë.
Moto e SBASH
Mësues të motivuar, të mirë paguar dhe reforma për një arsim cilësor.
Sa interes ka pasur për t’u anëtarësuar nga ana e mësuesve?
Mësuesit janë anëtarësuar menjëherë sa kane rënë në kontakt me grupin organizator sidomos në qytetin e Tiranës por edhe në disa rrethe si Kukës, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Durrës, etj. Numri i anëtareve po rritet çdo ditë. Madje me duhet të shtoj që përveç anëtarësimeve të mësuesve që nuk kanë qenë pjesë e sindikatave më parë na janë bashkuar një numër shume i madh mësuesish që tërhiqen nga sindikatat aktuale dhe anëtarësohen në SBASH.
Ka vetëm 1 muaj që grupi i punës po bën rekrutime dhe mbi 20 shkolla në Tiranë/ Tiranë Qark janë anëtarësuar 100% e mësueseve të shkollës në SBASH. Mësuesit ndjekin faqen e SBASH, komentojnë dhe kërkojnë takime me përfaqësuesit ne qytetet e tyre. Ka raste që mësues të ndryshëm ndihen të thirrur ti bashkohen kësaj sindikate duke e parë si zgjidhjen e duhur për problemet e përditshmërisë apo edhe për të adresuar ide zhvillimi.
Përgjatë viteve mësuesit kanë treguar një besim të pakët ndaj sindikatave pasi sipas tyre ato nuk u kanë mbrojtur interesat dhe të drejtat. Po sot, çfarë mund t’i thoni të gjithë atyre që janë skeptikë për një organizim të ri, si SBASH? Çfarë e dallon sindikatën tuaj nga sindikatat e tjera?
Mungesa e besimit ndaj sindikatave të arsimit nuk ka ardhur rastësisht. Sindikatat kanë punuar me disa standarde. Shpesh në mbledhjet e këshillit kombëtar unë kuptoja që në qytete te ndryshme sindikata funksiononte ndryshe. Në disa qytete janë komanduar mësues që nuk kanë treguar përgjegjshmëri për rolin që përfaqësonin. Në disa qytete te tjera, mësuesit nuk dinin se kush i përfaqëson dhe problemet e tyre nuk janë trajtuar asnjëherë për zgjidhje. Gjithashtu ka gra të komanduara dhe në takime paraqiteshin burrat e tyre, mësues. Mësuesit nuk janë orientuar me ligjin apo të drejtat që burojnë nga Kodi i punës apo Kontrata Kolektive. Ata nuk i kanë njohur të drejtat që “gëzonin” nga Marrëveshja kolektive. Mësuesit nuk janë trajnuar, nuk është kaluar asnjë fond për të aftësuar anëtarët apo këshillat sindikale në shkolla me qëllim të përfshiheshin në organizime që fuqizonin zërin dhe veprimet e tyre. Kuotat kryesish janë përdorur nga kryetaret për veprime e qëllime kryesisht të personalizuara apo një grupi të ngushtë.
Ne si SBASH, për herë të parë në Shqipëri vijmë me kufizimin e mandatit të kryetarit, problematikë e ndeshur në të gjitha organizatat sindikale që operojnë aktualisht në vendin tonë. Kufizimi i mandateve ndihmon në krijimin e lidershipit brenda organizatës, heq përfundimisht favorizimet dhe përfitimet, hap garën dhe sjell një organizatë që meritojnë mësuesit. Aktualisht sindikatat drejtohen nga individë që e kanë mbërthyer postin dhe në statutin e organizatës kanë ndërhyrë duke e kthyer atë në interes dhe favor personal. Mjafton të shikohen 4 ndryshimet e fundit të statutit të SPASH, të cilat u miratuan në kongresin e Shtatorit 2023 dhe çdo mësues e kupton se kujt i shërben kjo organizatë.
Shqetësues është fakti që në nivele ministrore mësuesit keq përfaqësohen nga individë të cilët janë njohës mesatarë apo edhe me pak të sistemit arsimor përfshi ligjin, kurrikulat, sistemin e vlerësimit, standardet e mësimdhënësit , gjë që ka sjellë pasoja në punën e përditshme të një mësimdhënësi.
SBASH do të organizojë aktivitete dhe tryeza të cilat do të risin kapacitete brenda grupit me qëllim të na përfaqësojnë denjësisht në përballje me punëdhënësit e të gjitha niveleve.
Për t’u ndalur më konkretisht cilat janë problemet që evidentohen sot në arsimin shqiptar?
Problemet në arsimin parauniversitar.
- Paga diskriminuese (Pagat duhet të rriten 100%).
- Mos dhënia e rrogës së 13-të.
- Buxheti për arsimin është shumë i ulët. (Buxheti për arsimin duhet mbi 5% e GDP)
- Transporti për mësuesit që punojnë larg qendrës së banimit (nuk financohet i plotë).
- Kurrikula me kompetenca (mungesa të laboratorëve shkencore, librit të mësuesit, infrastrukturës së TIK ose e ofruar pjesërisht)
- Gjithë përfshirja (mungesa e burimeve njerëzore/ mjeteve didaktike dhe klasave burimore)
- SMIP (infrastruktura në mungesë në shumicën e shkollave të territorit shqiptar)
- Shkolla e drejtorëve (ka suprimuar një master në FSSH “Menaxhim dhe drejtim arsimi” dhe pasuron një shoqatë me lidhje të forta me pushtetin)
- Heqja e regjistrit fizik (në kundërshtim të hapur me ligjin) etj, etj
- Emërimet me portal (bëhen emërime në mungesë transparence. Gjithashtu u aplikua para se të futej në ligj.)
Këto më sipër regresojnë arsimin publik duke favorizuar indirekt atë privat.
Kujt i intereson kjo?!!
ARSIM I AKSESUESHËM VETËM PËR DISA NXËNËS OSE DISA SHKOLLA…
Probleme në arsimin e lartë.
Duke qenë se masa më e madhe e universiteteve publike financohen nga fondet e shtetit, me qëllim që të përmirësohet puna kërkimore shkencore, është e nevojshme rritja e fondit buxhetor për kërkim shkencor të destinuar për çdo pedagog. Nga ana tjetër, është e nevojshme të motivohen kërkuesit shkencor që të rritin performancën e tyre akademike, nëpërmjet iniciativave financiare.
Rankimi i çdo universiteti dhe personeli akademik të bëhet duke zbatuar Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë e procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë”, i cili pavarësisht se ka dale ne vitin 2018, nuk është zbatuar. Është e nevojshme gjithashtu të mundësohen universitetet të kenë akses në biblioteka ndërkombëtare digjitale duke ofruar mundësi për artikuj prestigjiozë si për stafin akademik ashtu edhe për studentet.
Të shtrihen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet arsimit parauniversitar me atë të lartë, duke pasur shumë fusha të përbashkëta, si ajo e mësuesisë, e sipërmarrjes, e shoqërisë së gjelbër, duke shërbyer dhe nxitur edhe pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësuesve të arsimit parauniversitar në projekte të ndryshme.
Çfarë rekomandimesh keni marrë deri më tani nga mësuesit a pedagogët?
Ne po punojmë për të sjellë disa rekomandime para fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025. Kemi ngritur një grup pune dhe do t’i bëjmë prezent rekomandimet tona sapo të jemi gati.
Çfarë nismash do të ndërmerrni për problemet që ka arsimi sot? Keni një program?
Ne si fillim kërkojmë mbështetjen e të gjithë mësueseve duke u anëtarësuar ne SBASH. Anëtarësimi na tregon mbështetjen, besimin dhe na angazhon edhe me fort për ndryshimet e pritshme. Duhet të përmend që sindikatën e fuqizojnë anëtarët aktive, ata të cilët bashkëpunojnë për të sjellë ide dhe veprim sindikal. Nismat do të jenë, pyetësorë, takime, konferenca, dalje publike, bashkëpunime me organizata partnere, peticion, protesta dhe greva. Nëpërmjet një pyetësori do te evidentojmë problemet në shkallë kombëtare. Analiza dhe rekomandimet do të bëhen publike.
Dimë që me 1 Maj, Ditën e Punëtorëve do të zhvilloni një protestë. Pse duhet të bashkohen mësuesit në këtë protestë dhe cila është thirrja që i bëni atyre?
Ftojmë të gjithë mësuesit dhe pedagogët t’i bashkohen protestës përpara MAS në orën 10:00 dhe më pas të vijojmë përpara kryeministrisë. Dalja në proteste është detyrë e secilit mësues dhe pedagog të ndihmojë profesionin të marrë jetë dhe të fillojmë të lobojë për të drejtat e mohuara deri më sot. Ne jemi qytetarë dhe si të tillë duhet të protestojmë! Mesazhet tona me impakt le të jenë një kambanë për Ministren e Arsimit dhe Kryeministrin!
Moto e protestës!
DYFISHOJME PAGAT/ MOTIVOJME MESUESIT/ NDALIM EMIGRACIONIN!