“Vepër ndër” ka sjellë 75 punime të piktorit të ndjerë Gjergji Lako. Veprat e ekspozuara janë pjesë e fondit personal të familjes Lako, ndërsa rreth 45 prej tyre janë ekspozuar për herë të parë në galerinë e Pogradecit.
Për Lorin, vajzën e piktorit, kjo ekspozitë e katërt e Gjergji Lakos është më tepër një mesazh. Ajo thotë se artistëve meriton t’u festohet vetëm ditëlindja. Lori Lako, ndër të tjera, shpreh rezerva për autoritetet e Pogradecit të cilat kanë lënë në hije piktorin e madh dhe profesorin e artit Gjergji Lako. Ajo shton se edhe në shumë raste pikturat e Lakos kanë qenë objekt i plagjiaturës.
Një nga artistët që kanë bashkëpunuar në fushën e artit është piktori i njohur Anastas Konstandini (Taso), i cili shpreh emocionet për ekspozimin e veprave në 75-vjetorin e mikut të tij Gjergji Lako. Ai tregon cilësitë që e bënin këtë piktor të mbahet mend gjatë, por nga ana tjetër shpreh edhe brengën se artist si Gjergji Lako janë harruar nga Pogradeci, sidomos pas vdekjes së tyre.
Të pranishëm në ceremoninë hapëse të ekspozitës ishin familjarë të afërt të artistit të ndjerë, miq dhe kolegë, si dhe qytetarë të Pogradecit. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datën 9 prill.