Në datat 3-4 prill 2024, në kuadër të programit Erasmus+ që mundëson shkëmbimin e stafit akademik, një grup pedagogësh nga Universiteti Bujqësor i Plovdivit, Bullgari do të jetë në Universitetin “Fan S. Noli” për programin e përbashkët të studimit, me Fakultetin e Bujqësisë, Master Profesional në “Menaxhim i Qëndrueshëm në Agroturizëm”.
Stafi nga Bullgaria u prit sot në një takim nga dekani i FB, prof. as. dr. Gjergji Mero dhe pedagogë të tjerë të këtij Fakulteti, ku u diskutua për ecurinë e punës së përbashkët gati një-vjeçare në kuadër të këtij bashkëpunimi.
Dekani, prof. as. dr. Gjergji Mero i njohu fillimisht me veprimtarinë që zhvillon Fakulteti i Bujqësisë, ndërsa shprehu falënderimet e tij për mbështetjen që po ofron Universiteti Bujqësor i Plovdivit në këtë program të përbashkët studimi. Ai vlerësoi rëndësinë që ka si mësimdhënia e integruar, ashtu dhe zhvillimi i praktikës në UBP për kualifikimin e vazhduar të studentëve dhe për punësimin e tyre, pasi bujqësia dhe turizmi janë ndër prioritetet e rajonit të Korçës. “Pritshmëritë tona për frekuentimin e këtij programi studimi janë të larta për vitet në vazhdim. Edhe promovimi që do t`i bëjnë këtij programi vetë studentët do të shihet më me interes nga të rinjtë”.
Prof. Krasimir Aleksandrov falënderoi Universitetin “Fan S. Noli” dhe në veçanti Fakultetin e Bujqësisë për këtë bashkëpunim të suksesshëm, ndërsa shprehu dëshirën e tij dhe të kolegëve që e shoqërojnë për t`u takuar nga afër dhe për të biseduar me studentët.
Ata zhvilluan me ta një orë leksioni, ndërsa bashkëbiseduan për mundësitë që do t`u ofrohen nga kjo diplomë e dyfishtë, si dhe për zhvillimin e praktikës profesionale në Universitetin Bujqësor të Plovdivit, ku do të përfitojnë edhe një përvojë evropiane në fushën ku studiojnë.
Stafi akademik nga Bullgaria do të zhvillojë nesër një tjetër leksion me studentët e këtij programi studimi.