5.4 C
Pogradec
4.6 C
Korçë
3.8 C
Bilisht
4 C
Ersekë
3.8 C
Maliq
5.4 C
Liqenas
Monday, December 2, 2024

A do të shtrenjtohet çmimi i bukës?

- Advertisement -

Burimi: Revista Monitor

Furrat e bukës, që kanë të integruara shërbime të tjera si pastiçeri apo bar-kafe, do të diferencohen në tarifat që paguajnë për energjinë.

Gjatë një tryeze të mbajtur javën e shkuar me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, zëvendëskryeministrja, njëhershëm ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe administratori i OSHEE Group,

Enea Karakaçi, bënë të ditur propozimin që do të dërgohet në Entin Rregullator të Energjisë që vendos këto subjekte në një raport të drejtë pagese.

Balluku tha se në vend janë të paktën 2600 furra buke dhe kjo e ka bërë qasjen ndaj kësaj çështjeje të kujdesshme, për ta trajtuar secilën prej tyre sipas kushteve ku ndodhet.

Aktualisht furrat e bukës paguajnë një tarifë 7.6 lekë/kWh sipas një çmimi të vendosur nga Enti vite më parë, por që nuk merr parasysh ndryshimet apo evoluimin që ka pësuar ky treg viteve të fundit.

“Ka pasur disa problematika dhe diskutime me përfaqësuesit e shoqatës, sepse tipologjia e biznesit ka ndryshuar, nuk prodhohet vetëm bukë, por janë zgjeruar dhe kanë shërbim më të gjerë deri te bar-kafe.

Gjatë disa viteve ka pasur disa tentativa, por nuk është gjetur dakordësia për alternativat e propozuara si për ndarjen me dy matës apo me dy NIPT-e apo ambiente specifike”, – tha ai.

Tre çmime për tre kategori

Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti.

Ky propozim, i cili u njoftua nga administratori i OSHEE-së, pritet që të shkojë në ERE për t’u miratuar, duke i hapur rrugë zbatimit.

“Kemi bërë një lloj tipologjie dhe sot vijmë me një propozim që ka tre çmime: 7.6 lekë/kWh që është vetëm për subjektet të cilat kanë veç furrë buke; çmimi 9.5 lekë/kWh është për furra buke dhe aktivitete më të integruara si pastiçeri apo produkteve të tjera të brumit dhe çmimi 12 lekë/kWh është për ambiente që kanë dhe bar-kafe.

Të gjitha elementet janë rënë dakord me shoqatën. Jemi në situatën që do ta çojmë në ERE dakordësinë për tre çmimet dhe mendojmë se kjo do japë një zgjidhje të përhershme për furrat e bukës”, – nënvizoi Karakaçi.

Si do të bëhet verifikimi i subjekteve

Burime nga grupi i punës thanë për “Monitor” se kategorizimi i subjekteve që do t’u nënshtrohen më pas çmimeve të reja pritet të bëhet mbi bazë verifikimi, në dokumentacion dhe terren.

Ende nuk ka një procedurë standarde të unifikuar dhe të miratuar për hapat që do të hidhen, por pika e nisjes pritet të jetë baza e të dhënave që kompania publike e shpërndarjes ka në sistemin e saj.

Kjo do të thotë se do të shihen të gjithë subjektet e regjistruar, kur kanë hapur kontratën, NIPT-i i tyre dhe objekti që kanë në veprimtari të tyre.

Biznesit mund t’i jepet gjithashtu mundësia të vetëdeklarojë kategorinë ku operon, pra nëse është furrë buke apo një aktivitet i integruar. Pas kësaj, për të qenë sa më korrektë në vendimin e ndarjes së tarifave, OSSH me shumë gjasa mund të kalojë në verifikim në terren për 2600 subjektet që janë të deklaruar në këtë lloj aktiviteti.

Në çdo rast do të mbahet procesverbal për konstatimet dhe provat mbi llojin e aktivitetit real që kryhet. Përfaqësues të grupit të punës thanë se ndoshta në këtë proces verifikimi do të kërkohet që të ketë edhe një pjesëmarrje aktive të shoqatës, në mënyrë që procesi të mbyllet sa më shpejt dhe të jetë transparent dhe i pranuar nga të gjithë.

Pas kryerjes së verifikimit në terren do të krijohet një bazë e saktë të dhënash mbi subjektet dhe kategorinë ku hyjnë ato, për efekt çmimi. Kjo bazë do t’i kalojë më pas strukturave të IT të kompanisë së shpërndarjes që do të ndërhyjë në sistem për të bërë sistemimin e ndarjes së faturave.

Propozimi duhet të miratohet nga ERE

Çmimet e diferencuara për furrat e bukës, sipas llojit të aktivitetit, duhet së pari të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë për t’u bërë të zbatueshme.

OSHEE pritet që të depozitojë këto ditë pranë Entit propozimin e rënë dakord me Shoqatën, teksa paralelisht do të punohet me hallkat e tjera që të bëjnë të mundur këtë zbatim në një afat sa më të shpejtë.

Pavarësisht kësaj, ministrja Balluku tha se do të duhet një afat i arsyeshëm për të vënë në zbatim këtë ndarje të re dhe se me biznesin do të lihet një kanal komunikimi për ta bërë procesin sa më të thjeshtë.

Sipas saj, disa masa që në letër mund të duken të thjeshta, në praktikë mund të rezultojnë problematike dhe se mbajtja e një komunikimi konstant gjatë zbatimit do të jetë një formë për të minimizuar problemet që mund të dalin.

Edhe pse sot nuk ka një afat të saktë se kur pritet të nisë aplikimi i çmimeve të reja, burime nga grupi i punës thanë se ndoshta, minimumi do të kërkohen tre muaj.

Kompanitë nën varësinë e OSHEE Group si FSHU, FTL apo OSSH do të duhet që të përgatisin aktet e nevojshme sesi do të ndahen, veprojnë dhe trajtohen çështjet që lidhen me këtë masë të re

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit