Burimi:Balkan Web
Ky është 74-vjeçari Arianit Selimollari nga fshati i largët i Strelcës në bashkinë e Maliqit, i cili njihet për zonën por edhe më tej si mjeshtër i bletëve.
Ai është larguar shumë herët me familjen e tij nga ky fshat por pasioni për bletët bëri që 74-vjeçari të kthejë sytë nga vendi i origjinës.
Ka afro gjysmë shekulli që mbarështron bletë dhe për këtë 74-vjeçari tregon se e ka nisur vetëm me 1 koshere bletësh dhe vit pas viti arriti ti shtojë deri në 170 të tilla.
Pavarësisht vështirësive që ka hasur përgjatë këtyre viteve Arianiti nuk hoqi dorë kurrë nga pasioni i tij që më pas ju kthye në profesion dhe në një biznes fitimprurës.Asgjë nuk e ka ndalur 74-vjeçarin për të rritur bletën edhe pse me shumë mund dhe sakrificë pasi sic thotë dhe vetë ai gjatë jetës ka dështuar dy herë me bletët por që ka vazhduar të punojë fort për të arritur këtu ku është sot.
Jeton në Tiranë por pasioni për bletën e ka bërë 74-vjecarin që 8 muaj ti kalojë në fshat në vendin ku ka ngritur një park të vogël i cili i jep gjithnjë e më tepër kënaqësi. Por pavarësisht pasionit 74-vjeçari thotë se tregu viteve të fundit nuk ju jep më siguri pasi nuk po e gjejnë atë. Ai thotë se mjalti futet nga importi gjë që e bën të vështirë shitjen e sasive të mëdha të mjaltit që nxjerr ky bletërritës por edhe shumë të tjerë. Arianiti thotë se përballet edhe me vështirësi të tjera siç janë mjekimet për bletën të cilat sipas tij nuk japin efektin e duhur duke e dëmtuar bletën në shumë raste.
Në këto kushte ai kërkon nga shteti më shumë mbështetje për bletërritësit pasi subvencionet janë të vogla dhe me limit në një kohë kur shtetet fqinje japin mijëra euro subvencione. Të rrisë bletët në fshat ka qenë synimi i vetëm i 74-vjeçarit pasi duke qëndruar sa më afër natyrës e kullotave të favorshme prodhimi i mjaltit do të jetë sa më cilësor.