Stina e pranverës ka rritur dukshëm rastet e alergjive në vend, kjo për shkak të prezencës së shtuar të polenave. Nga 20 deri në 30 raste në ditë paraqiten në spitalin e Pogradecit me simptomat e alergjisë, përfshirë teshtimat, lotimin, kruarjen, etj.
Për shkak të stinës dhe temperaturave në qarkun juglindor ende nuk është në pikun e alergjive, i cili pritet të jetë në ditët e ardhshme për shkak të lulëzimit të vonshëm të pemëve.
Mjekja alergologe Anila Hysenbegasi shprehet se më shpesh me simptoma janë moshat e reja, ndërsa simptomat e alergjisë shpesh herë ngatërrohen me ato të gripit.
Mjekja Hysenbegasi shton se mos ekzaminimi në kohë i alergjive sjell përshkallëzim të gjendjes shëndetësore deri në formimin e astmës. Ndërsa ekzaminimi në fazat e para të sëmundjes së alergjisë bën që kjo e fundit të kurohet plotësisht.
Ndër këshillat e shumtë të mjekëve mbetet konsultimi me mjekun në fazën kur shfaqen simptomat e para të alergjisë, ndërsa në qarkun juglindor pritet që pas disa javëve të ketë edhe pikun e rasteve me alergji, të cilat ndërkohë janë të shfaqura në zonat e ngrohta si Tirana, Elbasani, Fieri.