Lajmi më i fundit në vendin tonë është dekretimi i ligjit “Për zonat e mbrojtura”, nga ana e Presidentit Begaj.
Tashmë ky ligj i hap rrugën të gjitha ndërtimeve në këto zona.
I ftuar në intervistën e Fax News, kryetari i Partisë Demokratike në Pogradec, zoti Genti Çela, ndau me ne opinionin e tij në lidhje me këtë ngjarje.
“Një lajm i keq për të gjithë. Tashmë këto zona quhen të pambrojtura. Nuk kisha ndonjë shpresë, sepse ky është rast i përsëritshëm ku Presidenti i Republikës kthehet në noter të miratimit të ligjeve në dëm të shqiptarëve. Ky është një ligj i cili dëmton zonat e mbrojtura. Dora e babëzisë po i kthen në zona të betonizuara. Një tjetër lajm i keq për shqiptarët”, tha Çela.
Çela u shpreh se opozita do të vazhdojë të ngrejë zërin.
“Ne do vazhdojmë të ngrejmë zërin tonë, sepse çdo gjë është kthyer në një pronë të një personi të vetëm. Do vazhdojmë të ndjekim hapat e vazhdueshëm juridik deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër, e cila tashmë është tepër e vështirë. Presidenti e ka përdhosur institucionin që përfaqëson. Nga sot fillon një kasaphanë e zonave të mbrojtura”, tha ai.
I pyetur nga Albi Rakip se përse nuk duhet të kryhen investime në këto zona, pra a rrezikon shembja totale e tyre, Çela u përgjigj:
“Me dekretin e Presidentit, zonat do të betonizohen të gjitha dhe nuk do të konsiderohen më të mbrojtura. Këto investime janë totalisht të pa nevojshme. Nevojitet ruajtja dhe ekspozimi sa më i mirë i vlerave te tyre”.
Burimi: FAX WEB