12 Mars 2003, një aksident tragjik mori jetën e mësuesit Drini Cake. Teuta Zaimi Peraj, e cila mbijetoi nga ky aksident, sot ka një dedikim për të në kujtim të një dite… 12 Mars 2003…
Ajo shkruan: Ngjarja ishte e dhimbshme, e kobshme… Drini Cake ishte një njeri i veçantë, udhëheqës i mirëkuptimit njerëzor, një person i mirë, që sot, duke qenë në krye të detyrës, na ka lënë trashëgimi punën, buzëqeshjen, tolerancën, dashurinë njerëzore dhe përvojën në punë. Dhe pse jo, edhe dëshirat e paplotësuara të jetës…
Me zemër dhe mendje, je pranë nesh, Drin, ne që të njohëm nga afër, që në bankat e shkollës dhe në punë, që mësuam nga ti, dhe që gëzuam me ty. Drini, je në zemrën e Pogradecit, në shesh duke na parë, në rrugë duke ecur, në shkollë duke na mësuar, kudo një shembull që duhet ndjekur…
Ti, Drini, mbetesh një shembull i veçantë, krijesë e Zotit në tokë. Dalim në qytet dhe buzëqeshja jote ndjehet në çdo lulëzim pranveror, në çdo trishtim vjeshtor, në bardhësinë e borës…
Biri i Pogradecit në jetën e jetëve je TI!