Nga Redi Dandallaku: Nesër në orën 14:00 luhen pesë ndeshje të vlefshme për kategorinë e dytë në grupin B, grup ky ku pjesë e të cilit është pjesë edhe K.F Pogradeci, por liqenorët këtë javë janë pushim për shkak të kalendarit.
Kryendeshja e kësaj jave pritet të jetë Turbina-Luftëtari ndeshje e cila do të luhet në qytetin e Cërrikut në stadiumin “Nexhip Trungu”.
Kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë pasi Turbina në katër javët e fundit ka fituar tre ndeshje dhe ka barazuar vetëm një duke atritur kështu në kuotën e 20 pikëve ç’ka e bën një skuadër që mund të tentojë “play off”-in nëse befason me një trepikësh kundër gjirokastritëve dhe të avantazhohet pas rezultatit përfundimtar të sfidës Oriku-Butrinti ku këto dy skuadra “përplasin” brirët nesër dhe janë dy nga konkurrentët kryesorë për vendin e 4-të dhe të 5-të, vende këto që të lejojnë të vazhdosh garën për të prerë një biletë pët në kategorinë e parë.
Nga ana tjetër gjirokastritët së bashku me liqenorët e Pogradecit janë dy skuadrat më në formë të kampionatit ku Luftëtari në tre ndeshje të fazës së dytë i ka fituar të treja dhe ka një golavarazh 8-2 ndërsa pogradecarët kanë luajtur katër ndeshje dhe kanë golavarazhin 7-2. Por ndryshe nga pogradecarët, gjirokastritët kanë shprehur një tip loje më të mirë në këtë fazë të dytë dhe blerjet e janarit kanë qëlluar të goditura.
Pogradeci kryeson kampionatin me 36 pikë dhe Luftëtari e ndjek nga pas me 34 pikë ku duhet theksuar se ka një ndeshje më pak ku nesër në atë të rradhës kundër Turbinës, barazohen me ndeshje të luajtura.
Përsa i përket kampit liqenor, edhe pse Nikaj në intervistat e mëparshme është shprehur se nuk i ndjek shumë rivalët por fokusohet vetëm tek skuadra e tij, sërish dyshohet se klubi ka ankth për ditën e nesërme dhe se sytë do të jenë tek ndeshja në Cërrik pasi nëse Luftëtari ndalet me barazim ose humbje, liqenorët do të jenë më të qetë në ndeshjet në vazhdim edhe pse kanë një kalendar ferri përpara.