Legjenda të shumta rrethojnë origjinën e Ditës së Gruas, e padyshim më e përfolura është ajo e kujtimit të 123 punëtoreve të fabrikës njujorkeze të këmishave, Triangle Waist Company, të gjitha jetë të humbura 25 marsin e 1911-tës, mes flakëve që përfshinë godinën ku punonin.
Ka dhe variante të tjera, ndër të cilat spikat ai që e lidh këtë datë me grevën e punëtoreve të tekstilit, të shtypur në mënyrën më brutale në Nju Jork, 8 marsin e 1857-tës, apo revoltën pacifiste të punëtoreve ruse në Pietrograd, 8 marsin e 1917-tës.
Është dhe një tjetër, i cili i referohet mocionit të socialistes Clara Zetkin, në Konferencën e vitit 1910 në Kopenhagen për vendosjen e një dite ndërkombëtare të gruas.
Të gjitha këto janë çfarë thuhet. Ajo çfarë dihet me siguri, nga ana tjetër, është se në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 900, në Europë, Shtetet e Bashkuara e sidomos në Rusi filloi të kremtohej, edhe pse në data e muaj të ndryshëm, një ditë e kushtuar kërkesave të grave, derisa dhjetorin e vitit 1977, OKB-ja përmes Rezolutës 32/142 caktoi 8 marsin si “Ditën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Grave dhe për paqen ndërkombëtare”.
Grate ishin përpjekur shumë për emancipim, për të mos u reduktuar vetëm në rolin e bashkëshortes e të nënës, për të drejtë vote, për pagë të njëjtë me burrat, për një shoqëri që njeh zyrtarisht barazinë gjinore. Që prej atëherë, në çdo vend të botës, kjo datë është rasti për të sjellë në mendje të gjitha bejetat e luftuara, ato të fituarat e ato që ende duhen fituar, në mbrojtjen dhe vlerësimin e femrës.