Drejtuesi i Orkestrës së Harqeve në Qendrën Kulturore Korçë Kostika Tanto, ka dalë sot në një deklaratë për media ku ka akuzuar këtë institucion për marrjen e vendimeve arbitrarë, të cilat kanë dëmtuar orkestrat në Korçë. Prej muajit nëntor të vitit të shkuar, është vendosur që përpos Orkestrës së Harqeve të krijohej edhe një orkestrë filarmonike për qytetin dhe artistët janë detyruar të jenë pjesë e të dy këtyre orkestrove, pa pasur rritje në pagat e tyre.
Në këto kushte, ata kanë deklaruar se nuk do të punonin më në të dy orkestrat me pagë të pandryshuar, e cila ishte rreth 6000 lekë në muaj. Por reagimi i Qendrës Kulturore Korçë ka qenë ndërprerja e kontratave për vitin 2024, duke i zëvëndësuar me artistët e tjerë, të cilët Tanto i quan “mercenarë”.
Kostika Tanto shton se vendimet e fundit për të sjellë artistë “mercenarë” nga vende të tjera, po trondisin artin në Korçë. Gjithashtu, ai thotë se kontratat me këta artistë të rinj janë sekrete dhe nuk dihet sa dhe si janë paguar ata.
Sipas drejtuesit të orkestrës së harqeve, përveç këtyre problematikave, ka edhe një mungesë të madhe të instrumenteve në Qendrën Kulturore Korçë. Ndërsa nga 18 instrumentistët, pas lëvizjeve të fundit 9 janë përjashtuar nga ana e Qendrës Kulturore Korçë.
Ndërkaq ka reaguar institucioni i cili shkruan:
“QAK (Qendra Artistike Kulturore Korçë) ka thirrur të gjitha forcat artistike të jenë pjesë e festimeve për inaugurimin e QAK dhe për 100-vjetorin e orkestrës sinfonike. Disa prej tyre nuk kanë rënë dakord me mundësitë financiare që janë parashikuar. Janë ndërmarrë të gjitha masat për realizimin e aktiviteteve për këtë vit. Ky vit do të jetë viti i ringritjes së orkestrës sinfonike të Korçës, me rikthimin e dirigjentit të mirenjohur I. Erzeni dhe 44 instrumentistët që tashmë kanë nisur punën.” Pogradecipress.al