Të gjithë tenderët që ka analizuar Kontrolli i Lartë i Shtetit në Bashkinë e Pogradecit kanë dalë me probleme….
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një numër të madh shkeljesh në Bashkinë e Pogradecit të drejtuar nga Ilir Xhakolli. Në kuadër të një auditimi të zhvilluar së fundmi aty, janë gjetur parregullsi dhe abuzime thuajse në të gjitha fushat.
Abuzimet më të mëdha duket se janë me tenderët. Sipas KLSH, për vitet 2021-2022 në total janë realizuar 24 procedura prokurimi me fond limit 2,361,291 mijë lekë pa TVSH dhe realizim kontrate 2,316,337 mijë lekë pa TVSH. Referuar materialit të përcaktuar, grupi i auditimit nga 24 procedura, ka vlerësuar për auditim 15 procedura me fond limit 2,152,752 mijë lekë ose në masën 91% të fondit limit.
“Në 15 procedurat e audituara janë konstatuar shkelje të akteve ligjore e nënligjore, ku janë aplikuar kritere të paargumentuara dhe jo në lidhje të ngushtë me tipologjinë e procedurës që zhvillohet, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në pjesëmarrjen e Opertorit Ekonomik (OE) në procedurë për rritjen e konkurrencës, frenojnë pjesëmarrjen e biznesit të mesëm, si dhe në eliminimin e OE me oferta më të leverdisshme dhe mundësi për zbatimin e kontratës”, shprehet KLSH.
Gjithashtu, mangësi janë konstatuar dhe në kualifikimin e operatorëve me kritere të paplotësuara, veprime në paligjshmëri të përdorimit të fondeve publike në 13 procedura për vlerën 2,264,536 mijë lekë pa TVSH.
Disa nga tenderët me probleme të zbuluar nga KLSH janë:
1. “Rehabilitim/përforcim banesash ekzistuese kolektive 2021” Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 25,000 mijë lekë, me fitues OE “I.” ShPK, me vlerë të ofertës 18,784 mijë lekë.
“Në aplikimin e kritereve janë konstatuar kritere jo në përputhje me kushtet e zhvillimit të procedurës dhe në kundështim me nenet 1, 2 dhe pika 1 e nenit 21 të Ligjit nr. 162, datë 23.12.2020, “Për prokurimin publik”, si dhe nenet 39 “Kërkesat e veçanta për kontratat për punë publike” dhe neni 78 “Hartimi dhe publikimi i dokumenteve të tenderit”, të VKM nr. 285, datë 19.05.2021, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”. Kriteret duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës”, shprehet KLSH.
2. “Rehabilitim i bllokut të banimit pranë rrugës Abdyl Frashëri”, Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 15,518 mijë lekë, me fitues OE “V. K.” ShPK, me vlerë të ofertës 15,417 mijë lekë.
3. “Rehabilitim i shesheve në dy krahët e unazës (Pranë Sot 7)” Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 9,775 mijë lekë, me fitues OE “E.” ShPK, me vlerë të ofertës 5,922 mijë lekë.
4. “Rehabilitim i rrugës së Rodokalit, Njësia Administrative Propisht” Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 58,333 mijë lekë, me fitues OE “R.” ShPK, me vlerë të ofertës 54,104 mijë lekë.
5. “Rehabilitim i lagjes Gani Homçani” Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 84,782 mijë lekë, me fitues OE “V. K.” ShPK, me vlerë të ofertës 84,238 mijë lekë.
6. “Ndërtim i Ujësjellsit Rajonal Çërrave & Dardhas- Burimet e Gurrasit”, Bashkia Pogradec, Viti 2021, me fond limit 775,722 mijë lekë, me fitues OE “C.” ShPK, me vlerë të ofertës 774,852 mijë lekë, etj.
Më tej KLSH bën me dije se nga auditimi i procedurave të prokurimit me vlerë të vogël të zhvilluara përgjatë periudhës 01.01.2022-31.12.2022, u konstatua se:
–Në 6 raste nuk administrohet urdhri i titullarit për caktimin e komisionit për të përllogaritur fondin limit, si dhe nuk dokumentohet përllogaritja e fondit limit;
-Në 1 rast punonjësi, i cili është anëtar në komisionin e blerjeve të vogla rezulton të jetë edhe anëtar në komisionin e marrjes në dorëzim të mallit të prokuruar;
-Në 6 raste nuk administrohen deklaratat e konfliktit të interesit nga komisioni i prokurimit me vlerë të vogël;
-Në 1 rast komisioni i marrjes në dorëzim i aktiveve ka qenë 1 person, i cili bie në kundërshtim me Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2021, ku citohet “Komisioni i marrjes në dorëzim i aktiveve të furnizuara përbëhet nga specialistë të fushës sipas llojit të aktiveve dhe në komision bëjnë pjesë jo më pak se tre veta”;
-Në 12 raste referuar dokumentacionit të dosjes së tenderit, urdhri i prokurimit nuk është depozituar në degën e thesarit dhe nuk ka vulë të thesarit;
-Në 16 raste rezulton se OE të shpallur fitues nuk kanë plotësuar kriteret e kërkuara nga AK, si dhe dokumentacioni i dorëzuar nga OE shpallur fitues, përmban mangësi në formë dhe përmbajtje;
-Në 22 raste dokumentacioni i dorëzuar nuk është i protokolluar, me qëllim dokumentimin dhe respektimin e datës së dorëzimit, sipas kërkesës së përcaktuar në ftesën për ofertë;
-Në 10 raste afati i lëvrimit të mallit/realizimit të shërbimit/punës nuk është respektuar nga operatori ekonomik, si dhe nga Komisioni i blerjeve të vogla, si dhe nuk është përllogaritur penalitet;
-Në 22 raste nuk është kërkuar deklaratë e konfliktit të interesit të OE shpallur fitues si dhe nuk është kërkuar deklaratë mbi gjendjen gjyqësore;
-Në 9 raste autoriteti kontraktor në specifikimet teknike, ka kërkuar cilësinë për mallrat e prokuruar, por në asnjë rast nuk ka kërkuar që për çdo mall duhet të shoqërohet me fletë garancie, për t’i dhënë garanci AK.
Pra duket se Ilir Xhakolli ka bërë batërdi me tenderët, duke favorizuar klientët e tij. KLSH ka analizuar me detaje secilin tender dhe duket qartë se disa kompani janë skualifikuar qëllimisht./Pamfleti