Orjentimi për temperaturën e ujit
Plazhi në Pogradec fillon më vonë se në vendet e tjera të Shqipërisë, ku vite më parë dëbora e Malit të Thatë shkrinte në muajin qershor dhe Pogradecarët nëpërmjet saj, kuptonin saktësisht kur ishte koha e duhur për plazh, pra kur uji i liqenit ishte ngrohur tepër.
Mësimi i notit
Që në moshë shumë të vogël Pogradecarët ndër të tjera mësojnë notin, ku edhe disa nga kampionët kombëtar të notit vijnë nga ky qytet. Paraprakisht gjëja e parë që mësojnë fëmijët përpara se të zhyten, është lagia e kyçeve dhe krahut të zemrës. Por nga ana tjetër është një fakt që nuk ka Pogradecar pa u hedhur për zhytje qoftë një herë tek “ura e qytetit”, pra tek moli afër Kontit. Ndërsa Pogradecarët e vjetër plazhin e kanë bërë gjithmonë tek “Plazhi i Uçkave”.
Vazoja për peshkim
Fëmijët në Pogradec, përpara se të mësonin se si peshkohej me grep e kallam, mësonin sesi të kapnin cirona me kavanoz. Vite më parë nuk ka qënë e rrallë që përveç topit dhe letrave, në çdo çadër ku ka pasur fëmijë të kishte dhe një kavanoz e pak bukë. Fëmijët zhysnin në liqen kavanozin i cili kishte bukë dhe në momentin që në të hynin cironat, ata e mbyllnin anën e kapakut me duar.
Ndërtimi i kalave të rërës
Është tipike e pushuesve, kryesisht fëmijëve që të bëjnë kala rërë. Por fëmijët e Pogradecit mund të themi se qëndronin për orë të tëra në breg, derisa edhe dielli i skuqte dhe i digjte lëkurat e tyre.
Sa prej jush i kanë bërë këto veprime kur keni qënë fëmijë?
Nëse kemi elemente të tjera të cilat nuk i kemi përmendur, jeni të lutur të na i shkruani!/Pogradecipress.al