Skënderbeu po mbyll përgatitjet për ndeshjen me Partizanin, që do të luaj këtë të diel në Korçë. Pas një humbjeje në ndeshjen e prapambetur ndaj Dinamos, korçarët kanë nisur të mbledhin forcat për të qenë gati për këtë takim.
Ndaj Partizanit, për trajnerin Ivan Gvozdenoviç është një ndeshje mjaft e fortë, ndaj edhe për këtë fakt numri një i pankinës korçare kërkon maksimumin nga të tijtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut ka kërkuar përqendrim në një ndeshje, që i ka të tria rezultatet, por që duhet interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ivan, ju gjithmonë e quani një “derbi”. Sa e vështirë është ndeshja me Partizanin?
Është vërtet një derbi, të paktën për mendimin tim, pasi janë dy ekipe, që kanë histori në futbollin shqiptar. “Derbi” ishte edhe ndaj Dinamos, por kjo është e një rëndësie më të veçantë për vetë faktin se përballen dy ekipe, që për shumë vite në dekadën e kaluar i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Është një ndeshje e vështirë, që kërkon impenjim maksimal dhe qetësi psikologjike për të marrë më të mirën e mundshme.
Skënderbeu është ekipi i vetëm që Partizani nuk e ka mundur asnjëherë në këtë sezon. A do të vijojë kjo statistikë?
Po, është e vërtetë që kemi marrë një fitore dhe një barazim ndaj tyre. Por unë nuk shkoj shumë në bazë të statistikave në futboll. Futbolli i ka të tria rezultatet, prandaj është një sport kaq i bukur. Ne jemi Skënderbeu dhe do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin në këtë takim pa menduar shumë për statistika.
