4.3 C
Pogradec
2.3 C
Korçë
2.6 C
Bilisht
2 C
Ersekë
1.8 C
Maliq
4.1 C
Liqenas
Thursday, December 12, 2024

Lutfi Dervishi ironizon policinë për proçedimin e Devolliut…

- Advertisement -

Krimi-krimi, droga-droga, ferrat-ferra

Në Devollin e punës, aty ku Dritëroi i madh nisi udhën e letrave me një trastë balte të marrë arave për ta sjellë në Lidhjen e Shkrimtarëve, është shënuar një ngjarje e rrallë.

Megjithëse për ditët kur jetojmë e jashtëzakonshmja duket përherë e më e zakonshme, kjo ngjarje është e denjë për të qenë kryelajm kudo ku bukës i thuhet bukë dhe ujit i thuhet ujë…

Policia lokale, ose më mirë të themi “Policia që Duam”, ka demonstruar edhe një herë vigjilencën e saj të pashembullt përballë keqëbërësve të mëdhenj e të vegjël.

Këtë herë, falë inteligjencës policore, dronëve, satelitëve (Albania 1, Albania 2) dhe bashkëpunimit me partnerët vendas e të huaj, është zbuluar një skandal kaq i madh sa po të mos ishte kapur në kohë, do të rrezikonte Marrëveshjen e Parisit për luftën ndaj ngrohjes së klimës.

Policia e Devollit ka kapur në flagrancë një fermer i cili guxoi të digjte ferrat në tokën e tij për të lëruar, pluguar dhe mbjellë.

Po, po, mos u çudit, keqbërësi tani është prapa hekurave!

Mbase për ndokënd lajm është fakti se ka ende fermerë devollinj që mbjellin sërish e sërish tokën edhe pse djersën e dekadave e kanë hedhur në lumin e tyre, por kjo është temë tjetër.

Ngjarja sot është ky keqbërës që pasi i ra kazmës gjithë ditën, statuja e drejtësisë me kazmën e ligjit në dorë nuk e toleroi.

Dikush mund të thotë se policia duhet të përqëndrohet më shumë te kanabisi, trafiku, vjedhjet, kërcënimet në rrjete sociale apo te ndërtimet pa leje?

Por jo, në këto ditë dimri, policia që duam është fokusuar aty ku nuk ja pret mendja askujt: Te kopështet e fermerëve.

I akuzuari, një rebel 58-vjeçar, i njohur nga autoritetet vetëm si L.L., akuzohet për ndotje mjedisore. Krimi i tij?

I vuri flakën disa barishte që guxuan të harliseshin në pronën e tij.

E imagjinonini skenën: një fermer nga ata që gjen rëndom në Devoll, i armatosur me një çakmak, ndez zjarr dhe siç thotë populli ku ka zjarr ka edhe tym. Ku ka tym ka edhe probleme.

Komisariati i Devollit, për të mos mbetur pas kolegëve italinë dhe ekuadorianë që po merrren me kartelet ndërkombëtare të drogës apo rrjeteve të kontrabandës, mobilizoi specialistët më të mirë të hetimit të krimit.

Këta heronj të uniformave blu, brenda një kohe rekord referuan çështjen në Prokurori dhe garantuan banorët e Devollit dhe më gjerë se këtej e tutje do të shihnin vetëm tym nga oxhakët e tyre.

Prokurori gjatë marrjes në pyetje u sigurua që 58 vjeçari, nuk kishte qëllim që me zjarrin e vënë për të djegur “mbeturinat” t’u kujtonte bashkëfshatarëve çështjen e incineratorëve që nuk punojnë.

Dyshohet se zjarrëvënia mund të jetë edhe politike, pasi këto ditë në këtë zonë janë parë eksponentë të opozitës që kërkojnë njerëz lart e poshtë për të përmbysur më 20 shkurt qeverinë.

Hetuesit kanë sekuestruar celularin e keqbërësit dhe po hetojnë njëkohësisht në disa pista.

Pyetja tashmë që endet si avulli në kokën e të dehurit për prokurorin është: Çfarë proçke tjetër mund të na bëjë L.L?

Duke gjykuar nga mosha, kuptohet që ai mund të bëhet recidivist. Mundet, larg qoftë të ujisë më shumë se ç’duhet kastravecët në baçe duke shpërdoruar një pasuri publike.

Ndoshta L.L mund të vijojë duke krasitur pa leje shkurret e trëndafilave. Koha, kjo gjykatëse e pa mëshirshme do të tregojë.

Por, devollinjtë e punës mund të flenë të qetë, duke e ditur se policia që duam është gjithmonë vigjilente…

Megjithëse çdo baçe e bukur ka ferrat e veta, nuk e di nëse do mjaftojë rakia e tyre e fortë që të kapërcejë këtë “histori” që të deh me marrëzinë dhe të bën xurxull me budadallëkun.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit