Fermerët e qarkut të Korcës po përballen me një situatë të vështirë, sidomos në lidhje me prodhimet e mbetura në stok, kryesisht me prodhimin e mollës, ku aktualisht janë akumuluar 15 mijë tonë pa u shitur në kushte frigoriferike. Për këtë arsye, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në Shqipëri i është drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit Edi Rama me disa kërkesa. Kërkesat përfshijnë rritjen e çmimit të referencës për mollët e importit dhe kontrollin e mollës së importuar në dogana me një analizë cilësie. Shoqata thekson se është e domosdoshme të merren në konsideratë këto kërkesa, pasi fermerët po përballen me rrezikun e falimentimit, duke sjellë pasoja të rënda në sektorin e bujqësisë në qarkun Korçë. Nëse kërkesat nuk adresohen, fermerët paralajmërojnë për përshkallëzim të protestave. Ditë më parë, fermerët e fshatit Zvirinë ngritën zërin në protestë për të njëjtën arsye, por deri më tani nuk janë ndërmarë masa nga institucionet përkatëse. Çmimet e prodhimeve, si Starking, Gold, dhe Hajdare, duhet të tregtohen me 70-80 lekë për kilogram nga frigoriferat, ndërsa molla jeshile dhe fuxhi me 100 lekë. Kërkohet një ndryshim momental në këto çmime, që aktualisht lëvizin nga 20-30 lekë me pak.