Policia e Korçës takime sensibilizuese për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale për kultivimin e bimëve narkotike. Strukturat e Policisë të Drejtorisë rajonale Korçë kanë zhvilluar takime në ambientet e bashkive Pogradec, Maliq, Kolonjë dhe në qytetin e Bilishtit. Pjesëmarrës në takimin e zhvilluar në Pogradec, ishte Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Drejtues i Parë Gjovalin Loka, Prefekti i Qarkut Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli, Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec Elton Halili; Shefat e Seksioneve për Krimet dhe Policimit në Komunitet, kryetarët e Njësive Administrative, kryepleqtë, inspektorë të pyjeve, si dhe banorë të këtyre zonave. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për një bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në drejtim të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale me qëllim që edhe reagimi të jetë i menjëhershëm, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. DVP Korçë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në këtë aktivitet kriminal pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe për çdo informacion që ata kanë të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit.