Dita e sotme, përfaqëson një udhëtim në kujtesë, i cili përkon me 111-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar, një prej institucioneve më jetike të vendit tonë. Ky rrugëtim është përpjekja e vazhdueshme e të gjithë gjeneratave të kësaj organizate, në misionin fisnik atë të shërbimit ndaj komunitetit.
Përkushtimi, vetëmohimi, pasioni dhe dëshira e punonjësve të policisë në breza, për këtë profesion sa të bukur aq edhe të vështirë, ka qenë dhe mbetet aseti ynë më i vyer, vlera jonë më e madhe. Dhe sot është një nga ato ditë të veçanta ku ne i vlerësojmë dhe i promovojmë këto kontribute, këtë përkushtim dhe pasion të veteranëve të policisë.
Përulemi me respekt para kujtimit të Dëshmorëve të Atdheut, të cilët sakrifikuan jetën e tyre në krye të detyrës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme krenarie në historinë e Policisë Shqiptare.
Mirënjohje dhe vlerësim për të gjitha strukturat policore të qarkut Korçë, që me profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në punë, janë produkti i rezultateve dhe progresit tonë në luftën kundër krimit, kufijve të sigurt, sigurisë rrugore, mbrojtjes së rendit publik, menaxhimin e sezonit turistik, shërbimit ndaj qytetarëve, në përputhje të plotë me ligjin duke respektuar liritë e të drejtat e njeriut dhe parimet kushtetuese të shtetit juridik.
Një falenderim i veçantë për familjet e punonjësve të policisë, që ndajnë me ne triumfet apo disfatat e punës dhe na mirëkuptojnë në këtë profesion vetmohues, i cili mbart në vetvete sakrifica dhe privime.
Shprehim vlerësimin tonë, për të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese sepse me mbështetjen e tyre janë partneri ynë në përballimin e problematikave dhe realizimin e detyrave tona.
Për realizimin e misionit tonë gjatë vitit që lamë pas, i jemi mirënjohës komunitetit të qarkut Korçë për besimin, mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre të cilëve iu garantojmë se Policia do të jetë gjithmonë në shërbimin tuaj dhe do të angazhohet gjithmonë e më tepër për të krijuar një ambient shoqëror sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Gjithashtu një aleat i pandashëm në punën tonë janë përfaqësuesit e mediave që me punën e tyre informojnë, pasqyrojnë dhe sensibilizojnë publikun në kohë reale, të cilët gjej rastin t`i falenderoj për bashkëpunimin e tyre me strukturat e Policisë.
Në përfundim për kolegët që ndodhen në këtë ceremoni por edhe ata që janë në detyrë, më lejoni që t’ju uroj të gjithëve Gëzuar Festën, mbarësi në familjet tuaja dhe suksese në punë për vitin që sapo ka filluar!