Zhvillova sot në Prefekturë takimin e radhës me drejtues të institucioneve për zbatimin e planit të masave të Paketës së Sigurisë në Shkolla, pas inicimit të saj nga Ministri i Brendshëm z.Taulant Balla në fillimit të muajit Shtator 2023.
Institucioni i Prefektit të Qarkut drejton Task-Forcën rajonale për monitorimin e zbatimit të masave lidhur me sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve brenda perimetrit të shkollave e jo vetëm. Në takim ishin prezentë drejtues rajonalë të Drejtorisë Vendore të Policisë, Drejtorisë Arsimore, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit si dhe nënkryetarët e 6 bashkive të qarkut.
Diskutuam rreth detyrave të realizuara të çdo institucioni dhe atyre që duhen përmbyllur në vazhdim, sa i takon vendosjes së sinjalistikes rrugore pranë objekteve arsimore dhe ushtrimit të kontrolleve rigoroze për lëvizjen e mjeteve në atë perimetër, si dhe pajisjen me kamera a mjete të tjera siç mund të jenë ato të shuarjes së zjarrit, etj.
Kërkova nga drejtuesit e institucioneve të koordinojnë punën për monitorim sistematik dhe të bashkëpunojnë me Policitë Bashkiake respektive për mbikqyrjen e operatorëve ushqimorë brenda perimetrit të përcaktuar, kushteve të higjienës, përdorimit të duhanit në shkolla, mosofrimin e pijeve alkoolike për të rinjtë nën moshën 18 vjeç, ndërveprim efikas mes Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit dhe atë Kombëtar për ndërtimet pa leje apo në proces ndërtimi rreth këtij perimetri, si dhe një rol akoma më aktiv nga të gjithë në bashkëpunim me Oficerët e Sigurisë të Policisë, për parandalimin e kriminalitetit dhe fenomeneve me risk për fëmijët e të rinjtë, fenomene që nuk lidhen vetëm me përdorimin e substancave narkotike, por edhe me bullizmin apo krimin kibernetik në dëm të të miturve, duke adresuar në këtë mënyrë shqetësimet legjitime të prindërve dhe gjyshërve.
Siguria e fëmijëve dhe të rinjve është detyrë jo vetëm e institucioneve dhe familjarëve të tyre, por edhe e të gjithë komunitetit, për të ndikuar të gjithë pozitivisht në krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm për rritjen dhe formimin e sigurt të fëmijëve tanë.




